Dy raste sekuestrimi me marihuanë në Pejë

Dy raste të konfiskimit të drogës së llojit marihuanë janë shënuar vetëm dje në qytetin e Pejës, ndërkaq njëri prej personave të dyshuar të rastit është dërguar në mbajtje kurse i dyshuari i tjetrit rast është liruar në procedurë të rregullt.

Sipas Policisë së Kosovës, në rastin e parë bëhet fjalë për rrugën “Mbretëresha Teutë”, lokacion në të cilin gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 10.5 gram narkotikë i llojit marihuanë, gjë për të cilën janë arrestuar dy persona, njëri prej të cilëve më pas është liruar e tjetrei është dërguar në mbajtje.

Gjithashtu, sipas Policisë, në natën që lamë pas në një tjetër bastisje që është realizuar në rrugën “Aleksandër Mojsiu”, janë gjetur afër 10 gramë narkotikë po ashtu i llojit marihuanë, për çka më pas është arrestuar një person, i cili me rekomandim të prokurorit, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndryshe, raportet e rregullta 24 orëshe nga ana e Policisë së Kosovës në Pejë, flasin për rastet e shpeshtuara të sekuestrimeve të substancave narkotike në territorin e Komunës së Pejës.