Dy të vdekur pasi bien në humnerë në autostradën “Ibrahim Rugova”

Dy persona kanë ndërruar jetë pasi kanë rënë në humnerë teksa po kalonin nga një trase në trasenë tjetër në autostradën Ibrahim Rugova në segmentin Suharekë- Duhël, njofton Policia e Kosovës. 

Në komunikatën e Policisë thuhet se: me datë 29.06.2019 rreth orës 00:07 minuta  përmes Qendrës Rajonale të Komunikimit , Policia është informuar se në autostradën “Ibrahim Rugova” në segmentin Suharekë- Duhël  në afërsi të fshatin Sllapuzhan, dy persona  duke kaluar mbi  urën me nr. 11 në autostradë  duke kaluar  nga një trase në trasenë tjetër të autostradës kane rëne në humnere dhe me këtë rast si pasojë kanë gjetur vdekjen.

Pas informimit të rastit në vendin e ngjarjes kane dalë të gjithë eproret e lartë të DRP-Prizren si dhe Prokurori i Krimeve të Rënda në Prizren.

Sipas shikimit të vendit të ngjarjes dhe deklaratave të marra nga shoferët dhe dëshmitareve është konstatuar se dy viktimat kanë qene punëtore të një kompanie Kosovare e cila ofron shërbime të udhëtimit brenda dhe jashtë Kosovës.

Në momentin që kanë kaluar mburojën e trasesë së parë të autostradës dhe duke tentuar të kalojnë në trasenë tjetër  kanë rënë në humnere pasi që hapësira në mes dy traseve është afër 3m. Viktimat kanë qenë punëtor të kompanisë së udhëtimeve ( konduktor).

Ndalimi i tyre në autostradë është bëre me qëllimin e shkëmbimit të gjërave nga njëri autobus në tjetrin pa menduar pasojat.

Me urdhër të prokurorit 3(tre) shoferë të autobusëve të cilët janë ndalur në autostradë në kundërshtim me ligjet e komunikacionit rrugor, janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Janë intervistuar një numër i dëshmitareve lidhur me rastin.

Pas konsultimeve me Prokurorinë e Krimeve të Rënda është konstatuar se si pasoje e ndaljes se autobusëve në autostradë e qe bie në kundërshtim me ligjet në fuqi kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm me pasoje vdekjen pasi që dy viktimat kanë dal nga autobusët.

Trupat e viktimave janë dërguar në IML-Prishtinë për autopsi.

Viktimat që për pasojë gjetën vdekjen janë:

A.B i lindur në vitin 1993, M/Sh/K

G.G i lindur në vitin 1999. M/Sh/K

Ndërsa të dyshimtit e ndalur janë:

M.M i lindur në vitin 1986, M/Sh/K

Sh.S i lindur në vitin 1969, M/Sh/K

B.B i lindur në vitin 1980, M/Sh/K

Gjithashtu, Policia e Kosovës duke ju shprehur ngushëllimeve familjeve të viktimave apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion dhe në veçanti në autostradë të respektojnë rregullat ligjore në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten, njofton Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren.