Dyfishohet numri i viktimave të Covid-19 në New York: 806 të vdekur për 24 orë

Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara, 806 persona kanë vdekur nga koronavirusi në New York të Shteteve të Bashkuara. Shifra e përgjithshme e viktimave ka shkuar në 3,544 njerëz.

Numri i rasteve të reja është gati dyfish më i lartë se shifra e shënuar një ditë më parë. Në Parkun Qendror është ndërtuar një spital fushor brenda 48 orëve në mënyrë që të ketë më shumë vende të lira për pacientët.

Deri më tani, 41 pacientë janë dërguar në spitalin e improvizuar, tre prej të cilëve ndodhen në repartin e kujdesit intensiv, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Shtetet e Bashkuara kanë më së shumti të prekur nga koronavirusi në botë, rreth 400 mijë, ndërsa mbi 12 mijë e 800 persona kanë vdekur. Më shumë viktima ka vetëm në Spanjë dhe Itali.

Mbrëmë u shënua rekord i ri sa i përket numrit ditor të viktimave në Shtetet e Bashkuara me mbi 1800 të vdekur, dukshëm më shumë se rekordet e shënuara në Itali dhe Spanjë, që janë dy vendet me më së shumti viktima në botë.