Dyshimi për vetëvrasje në Prishtinë, flet Prokuroria

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 09:30 ka marrë informacion për një vdekje të dyshimtë në lagjen “Garibaldi”, në Prishtinë.

Lidhur me këtë ngjarje ka folur edhe Prokuroria e Prishtinës. Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka thënë për Express se aktualisht prokurori gjendet në vendin e ngjarjes.

“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, është njoftuar nga Policia e Kosovës për një vdekje të dyshimtë në Prishtinë. Prokurori i Shtetit ndodhet në vendin e ngjarjes dhe sipas autorizimeve të tij, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit”, ka thënë ajo për Express.

Në ndërkohë zëdhënësja e Policisë. Flora Ahmeti, për Express konfirmoi se bëhet fjalë për një mashkull, i cili është gjetur pa shenja jete në një zyrë.

Rreth orës 09:30 kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një zyrë në rrugën “Garibaldi” në Prishtinë. Menjëherë njësia policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendngjarje, ku nga ekipi mjekësor është konfirmuar se personi (mashkull) është pa shenja jete. Aktualisht hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë kanë nisur hetimin për rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë ajo për Express.

Express mëson se ai është i moshës rreth 50-vjeçare.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë familjarët e tij dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore. /Gazeta Express/