E çuditshme: Objekti i Kuvendit të Kosovës nuk është i regjistruar!

Objekti në të cilin vepron Kuvendi i Kosovës, nuk është i regjistruar në sistemin e regjistrave të pasurive kapitale (SIMFK).

Një konstatim i tillë ka dalë nga Raporti i Auditimit për Kuvendin e Kosovës për vitin 2018, raport të cilin e ka publikuar Zyra Kombëtare e Auditimit.

Në këtë raport theksohet se në regjistrat e pasurive nuk ishte regjistruar objekti bazë i Kuvendit të Kosovës. Në regjistër të pasurive figurojnë vetëm investimet dhe renovimet që janë bërë në objekt. “Mos regjistrimi i objektit të Kuvendit në regjistrat e pasurive jo financiare ndikon në nënvlerësimin e pasurive kapitale.” thuhet në Raportin e Auditimit për Kuvendin e Kosovës dhe kërkohet që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të sigurojë që objekti i Kuvendit të Kosovës i trashëguar si pasuri kapitale, të regjistrohet në regjistër të pasurisë.