E detyruan të bënte 300 pompa se theu rregullat e COVID-19, vdes 28-vjeçari

Një burrë filipinas ka vdekur pasi u detyrua nga policia që të bënte 300 pompa, si ndëshkim për faktin se kishte thyer rregullat e COVID-19.

28-vjeçari Darren Manaog Penaredondo u kap jashtë banesës pas orës 18:00, pasi kishte dalë që të blinte ujë.

Partnerja e tij, Reichelyn Balce u tha mediave lokale se i dashuri i saj dhe disa persona të tjerë që ishin kapur nga policia, u detyruan që të bënin pompa në rrugë.

“Kur erdhi në shtëpi, nuk ecte dot. E solli një nga personat që ishin dënuar për thyerjen e karantinës. Mendova se e kishin rrahur. Nuk ngrihej dot fare. Kur u përpoq të shkonte në tualet, pësoi një krizë. Njoftova urgjencën, por vdiq pa shkuar në spital”, tregoi partnerja e 28-vjeçarit.

Zyrtarët e lartë të policisë deklaruan se qytetarët që thyejnë rregullat e COVID-19 nuk dënohen me pompa dhe shtuan se nëse hetimi del në përfundimin se viktima është detyruar që të bëjë pompa në rrugë, përgjegjësit nuk do të tolerohen.