E djathta ekstreme në krye me Le Pen fitojnë në Francë, lë mbrapa Macronin

Partitë ekstreme të djathta në Francë kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet e Parlamentit Evropian nga votuesit francezë.

Rezultatet fillestare të publikuara tregojnë se partia djathtiste, Bashkimi Kombëtar, nën udhëheqjen e Marine Le Pen, ka dalë e para në Francë, me 24 përqind të votave.

Me këtë rezultat, ajo ka lënë në vend të dytë listën zgjedhore të presidentit Macron që nuk ka arritur të ketë më shumë se 22 përqind të votave. Ndërsa, në vendin e tretë janë të Gjelbrit me rreth 12 përqind të votave në këto zgjedhje.

Edhe pse rezultati është i ngushtë, megjithatë Le Pen ka shënuar fitore ndaj presidentit Macron pas humbjes që kishte pësuar nga ky i fundit në zgjedhjet presidenciale në Francë, në vitin 2017.

Sikurse dihet, Le Pen dhe partia e saj djathtiste njihet gjerësisht për qëndrimet radikale nacionaliste dhe politika ekstreme kundër emigrantëve në Evropë.