E majta merr pushtetin në RMV, Musliu: Qeverinë mund ta krijojë Zaev në koalicion me BDI

Partia Lidhja Socialdemokrate e Zoran Zevit në koalicion me atë shqiptare Besa, është fituese e zgjedhjeve të përgjithshme në Maqedoninë e Veriut dhe pritet ta drejtojë vendin për një mandat të dytë.

Koalicioni “Mundemi” do të ketë 46 deputetë në përbërjen e re parlamentare, e ndjekur nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE me 44 mandate. Partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim u rendit e treta me 11.3% të votave që përkthehet në 15 mandate.

BDI është e para mes partive shqiptare dhe pritet të jetë çelësi për formimin e qeverisë së re, pasi socialdemokratëve të Zaevit u duhen pikërisht aq vota parlamentare për të arritur kuotën prej 61 votash për formimin e qeverisë. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e drejtuar nga Ziadin Sela ka fituar 12 mandate.

Analisti politik Albert Musliu tha për Euronews Albania se rezultati i këtyre zgjedhjeve përbën një avancim serioz për shqiptarët në RMV, të cilët siç tha nuk kanë qenë asnjëherë më parë kaq shumë të përfaqësuar në Parlament.

Edhe pse theksoi faktin se numri i mandateve nuk është ende përfundimtar, pasi LSDM synon të marrë edhe 1 deputet,  BDI gjithashtu, ndërkohë që VMRO/DPNME pretendon për shkelje gjatë procesit zgjedhor, z. Musliu tha se mundësia më e madhe është që mandatin qeverisës ta marrë Zoran Zaev, ndërsa për të krijuar qeverinë me shumë gjasa do të bëjë sërish koalicion me BDI.

“Me këtë numër mandatesh mandatin mund ta marrë Zaev që ka pasur më parë koalicion me BDI, por në fushatë pati një tension marrëdhëniesh mes dy subjekteve pasi synonin të dy votat e shqiptarëve.

E shoh mundësinë që Zaev të jetë mandatari dhe të qeverisë me BDI, por nuk do ta kisha anashkaluar Aleancës, e cila pati një rritje me 200 për qind në numrin e fituesve, edhe BDI pati rritje me 25 për qind. Ndaj për shqiptarët ishte një fitore historike, kurrë s’kemi pasur kaq deputetë”, tha analisti Musliu.