Kanë kaluar shtatë vite që nga aksidenti i tmerrshëm i Michael Schumacher gjatë skijimit në Alpet Franceze. Më 29 dhjetor 2013, legjenda e Formula 1 përplasi kokën në një lëndim që i shkaktoi lëndime serioze në tru dhe e përmbysi jetën e tij.

Që atëherë, gjendja e tij shëndetësore është mbajtur në fshehtësi maksimale dhe të gjitha informacionet që kanë dalë në publik, janë kontrolluar nga familja e tij.

Shumë pak dihet lidhur me të vërtetën e situatës së tij shëndetësore, ndërsa familja e gjermanit ka bërë maksimumin që ta mbajë larg syrit të medias.

Ilustrim i aksidentit dhe lëndimit (Foto: Marca)


E gjitha që dihet në të vërtetë, është se Schumacher është rrëzuar gjatë skijimit, e ka goditur kokën në një gur dhe ka pësuar lëndime nga të cilat akoma është duke u rikuperuar edhe sot e kësaj dite.

Ai u transferua me helikopter në spitalin më të afërt dhe mjekët e kuptuan menjëherë se gjendja e tij ishte serioze.

Nga atje, u dërgua në Grenoble për t’iu nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjike dhe u vendos në koma të induktuar.

Që atëherë ka nisur periudha e rikuperimit, ndërsa familja e tij në janar të vitit 2014 ua kumtoi gazetarëve paktin e heshtjes.


Pasi kaloi gjashtë muaj në koma, legjenda u zgjua në qershor të atij viti. Lajmin e bëri të ditur menaxherja e tij, Sabine Khem, duke i falënderuar të gjithë ata që i uruan më të mirën ish-pilotit të Ferrarit dhe Mercedesit.

Në shtator të vitit 2015, u transferua në një spital në Zvicër dhe pastaj në shtëpinë e tij pranë liqeni të Gjenevës. Në bazë të asaj që thuhet, Michael qëndron zgjuar për më shumë se gjashtë vite, por gjendja e tij mbetet tërësisht e panjohur.

Bashkëshortja Corinna ka qenë gjithmonë e vendosur se familja nuk do të japë informacion për gjendjen e tij duke respektuar vendimin e tyre për t’i mbajtur gjërat private. E gjitha që është thënë është se “ai është në duart më të mira të mundshme”.

Fjalët nga miqtë

(Foto: Marca)

Gjatë vitit 2020 rrodhën disa informacione nga miqtë dhe të njohurit që kanë kontakt me familjen Schumacher. Një prej tyre është Felipe Massa, i cili ka qenë koleg me gjermanin te Ferrari.

“E di si është, kam informacion. Kam qenë gjithnjë shumë i afërt me të, por duhet ta respektojmë dhe ai nuk dëshiron që informacioni të shpaloset. Prandaj, kush jam unë që ta bëj? Lutem secilën ditë që ai të përmirësohet”, ka thënë braziliani.

Ish-shefi ekzekutiv i Ferrarit, Jean Todt, është një tjetër anëtar i rrethit të brendshëm dhe ai po ashtu ka shpërndarë disa mesazhe shpresëdhënëse se gjermani mund të shërohet tërësisht dhe t’i kthehet jetës normale.

Mirëpo, nuk kanë qenë vetëm miqtë dhe familjarët që kanë folur. Ish-gruaja e Flavio Briatores, Elisabetta Gregoraci, gjatë pjesëmarrjes në një emision televiziv italian kishte treguar disa gjëra që ndoshta nuk duhej t’i thoshte.

(Fotomontazh: Daily Mail/Image Point)

“Schumacher nuk flet. Ai komunikon përmes syve. Vetëm tre njerëz mund ta vizitojnë”, kishte thënë ajo duke shtuar se familja zakonisht takohet në Villa Yasmin në Mallorca, e cila ka qenë në pronësi të presidentit të Real Madridit, Florentino Perez.

Fjalët nga mjekët dhe specialistët

(Foto: Instagram/michaelschumacher)

Në qershor të vitit 2019 u raportua nga mediat franceze se Schumi po trajtohej me qeliza amë.

“Qëllimi është që të rigjenerohet sistemi nervor qendror i Michael”, kishte theksuar Philippe Menasche, i cili e trajton gjermanin.

Dr. Nicola Acciari, neurokirurg në spitalin Bellaria të Bolognas, kishte paralajmëruar se rezultatet nga mjekimi i tij mund të jenë të paparashikueshme.

Rekordet e prekura nga Lewis Hamilton

(Foto: Instagram/michaelschumacher)

Sezoni 2020 ishte viti kur Lewis Hamilton theu rekordin legjendar të gjermanit prej 91 fitoresh dhe britaniku e ngriti këtë rekord në 95 sosh.

Njëherësh, piloti i Mercedesit u shpall kampion bote duke e barazuar edhe numrin e titujve të Formula 1 me pilotin legjendar – nga shtatë.

Djali i tij, Mick në Formula 1

(Foto: Instagram/mickschumacher)

Viti 2020 ka qenë shumë i veçantë për familjen Schumacher, duke qenë se Mick Schumacher fitoi titullin e Formula 2 dhe nga edicioni i ardhshëm do të jetë pjesë e elitës në garën automobilistike.

Në fillim të muajit dhjetor, skuderia Haas në Formula 1 e bëri zyrtar nënshkrimin me të për edicionin 2021.

Duke qenë vetëm 21 vjeçar, Mick dëshiron që të ndjekë hapat e babait edhe në konkurrim me të mëdhenjtë e Formula 1, pas triumfeve në Formula 3 dhe Formula 2.


Si e dominoi Michael Schumacher botën e Formula 1

7 tituj botërorë të Formula 1 – më shumë se çdo pilot tjetër (Lewis Hamilton e barazoi në vitin 2020)

91 gara të fituara – sërish më shumë se kushdo tjetër (Lewis Hamilton e theu në vitin 2020)

51 gara të fituara pa nisur nga ‘pole position’ – një tjetër rekord

13 është numri i garave të fituara në vitin 2004 – një rekord për më së shumti fitore të regjistruara brenda një viti

8 fitore të regjistruara në garën për çmimin e madh të Francës – askush nuk ka regjistruar më shumë fitore në një pistë të caktuar (Lewis Hamilton e barazoi në vitin 2020 në Hungari)

15 sezone radhazi me së paku një fitore (1992-2006)

17 podiume brenda një sezoni (2002)


/Telegrafi/