Edhe Daut Haradinaj i reagon gjeneralit serb: Këtu do të na keni, sa herë të doni

Ndaj deklaratave të gjeneralit serb Millan Mojsilloviq, se Serbia e ka përkrahjen e ushtarakëve rusë për çështjen e Kosovës, pas kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, ka reaguar edhe vëllai i tij, Dauti, i cili gjatë luftës ishte komandant i UÇK-së.

Haradinaj i është përgjigjur shkurt Mojsilloviqit se “për këta “gjeneralët e demokracisë ruso-serbe”, këtu do të na keni, sa herë të doni”.

Mojsiloviq pas një udhëtimi në Moskë kishte thënë se Serbia e ka përkrahjen nga zyrtarët e lartë ushtarakë rusë për mënyrën se si të veprojnë lidhur me çështjen e Kosovës.

“Natyrisht se jemi të interesuar për sigurinë e serbëve jo vetëm në veri të Kosovës, por në gjithë vendin”, ka deklaruar gjenerali Mojsilloviq.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, gjithashtu është përfshirë në diskutim duke i thënë Mojsilloviqit se edhe Sllobodan Millosheviqi kishte menduar njësoj, por i kishte dalë keq.

“Ata duhet t’i ndalin këto provokime”, ka shkruar Haradinaj.