Edhe këtë vit, patrullime të përbashkëta të policisë së Kosovës dhe Shqipërisë gjatë sezonës turistike

Për të 10-ën herë me radhë , do të filloj implementimi i patrullimit të përbashkët të njësiteve policore të PK-se dhe të atyre të Shqipërisë në rrugët e kësaj të fundit gjatë sezonit veror . Marrëveshja është nënshkruar të mërkurën në ambientët e DRP në Prizren, nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptar, Ardi Veliu. Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se, ky aktivitet tradicional mbi bazën e vlerësimeve që dy policitë e dy shteteve kanë bërë, ka rezultuar se ka treguar suksese në shumë fusha e mbi të gjitha në fushën e qarkullimit rrugor, ka theksuar ai. Ndërkaq, këtë marrëveshje e vlerësoi të rëndësishme dhe më pak ndryshime nga ato të kaluarat, pasi që policët nga Kosova kësaj radhe do të patrullojnë në gjithë territorin e Shqipërisë përgjatë sezonës turistike, e ka vlerësuar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptar, Ardi Veliu. Patrullimet do të fillojnë nga data 1 Korrik deri më datën 31 Gusht, kanë bërë të ditur krerët e policive respektive.