Edhe një palë zgjedhje pa reformë, u nis tash 8 vjet

Janë bërë tetë vjet që nga koha kur është iniciuar reforma zgjedhore. Përkundër kësaj, deri më tani, ky proces nuk dihet se kur mund të përfundojë.

Sipas njohësve të proceseve zgjedhore, shkak për mosfinalizimin e kësaj reforme është mungesa e vullnetit të partive politike dhe institucioneve për të trajtuar çështje të tilla.

Valmir Ismaili, nga Demokracia Plus, thotë se ky proces do të duhej të ishte prioritet i institucioneve, e jo të cilësohet si çështje sekondare, raporton KTV.

Kurse, nga Instituti Demokratik i Kosovës janë skeptikë se ky proces do të përfundohet edhe në legjislaturën e re.

Sipas Eugen Cakollit, reforma zgjedhore aktualizohet vetëm në kohë fushate.

Për këtë çështje, Kohavisioni ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Mirëpo, për shkak të angazhimeve në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, zyrtarë nga ky komision nuk kanë qenë të gatshëm të përgjigjen.

Reforma zgjedhore do të ndihmonte në eliminimin e problemeve siç janë mangësitë në listën e votuesve, zonat zgjedhore, afatet kohore, rezultatet e zgjedhjeve, e të tjera.

Pas zgjedhjeve të vitit 2010, janë formuar dy komisione për t’u marrë me këtë çështje që nuk kanë dhënë asnjë rezultat. / Koha.net