Edhe Peja pa dekorime për fundvit

Deçani, Klina dhe Istogu kanë shpenzuar rreth 30 mijë euro për t’ua dhënë qyteteve të tyre pamjen festive për festat e fundvitit.

Por të njëjtën gjë nuk e ka bërë sërish Peja. Për të dytin vit me radhë, ky qytet nuk ka dekorim festiv.

Për stolisjen e qendrës së qytetit, Deçani, siç thotë drejtori i Shërbimeve Publike, Izet Zenuni, ka shpenzuar 8 mijë e 600 euro, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Qyteti është stolisur ashtu siç ka qenë projekti. Operatori është kontraktuar vitin e kaluar për dekorimin e qytetit në të gjitha festat zyrtare gjatë vitit, si dhe për festat e fundvitit. Për dekorimin e qytetit secila festë e ka tarifën e saj të kostos. Tarifa për stolisjen e qytetit për festat e fundvitit ka qenë 8 mijë e 600 euro”, thotë Zenuni. Në Istog janë shpenzuar më pak mjete për të stolisur qytetin. “Buxheti për stolisjen e qytetit për festat e fundvitit është 5 mijë euro. Plani për stolisje është në oborrin e objektit komunal dhe rruga kryesore ‘Ibrahim Rugova’ e qendrës së qytetit. Ky projekt është në realizim e sipër”, thotë zyrtarja për informim e kësaj komune, Fjollë Berisha. Më shumë mjete për stolisjen e qytetit ka nxjerrë nga xhepi Komuna e Klinës, e cila ka stolisur jo vetëm një shesh në qytet.

“Klina është stolisur për festat e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. Kompania kontraktuese nga Komuna e Klinës për dekorimin e qytetit për festa të fundvitit në bazë të kontratës së nënshkruar ka bërë dekorimin e sheshit ‘Mujë Krasniqi’, ‘Nënë Tereza’, ‘Faruk Elezi’ si dhe atë të ‘Ndue Përlleshit’. Komuna e Klinës për këtë projekt ka ndarë 15 mijë e 450 euro, ku është e përfshirë edhe mirëmbajtja e këtyre dekorimeve”, thotë drejtori i Shërbimeve Publike në Klinë, Ibër Elezaj. E në Pejë, Viti i Ri do ta gjejë qytetin të pa stolisur. Përveç stolisjeve që shihen nëpër lokale private, në asnjë pjesë të qytetit, e as në qendër të qytetit nuk ka as edhe një dritë të vetme apo ndonjë dekorim i vendosur nga Komuna.

Ky është viti i pestë që Komuna e Pejës nuk ka ndarë asnjë cent për stolisjen e qytetit, pavarësisht se mosstolisja mund të ndikojë edhe në imazhin e qytetit. Vetëm në dy vjetët e fundit sheshi ka qenë i stolisur dhe atë falas nga bizneset. Mungesa e dekorimeve jo vetëm në shesh, por edhe në ndonjë pjesë tjetër të qytetit ka shkaktuar reagime të ashpra të shoqërisë civile dhe subjekteve opozitare në Pejë.

Mungesa e dekorimeve jo vetëm në shesh, por edhe në ndonjë pjesë tjetër të qytetit ka shkaktuar reagime të ashpëra të shoqërisë civile dhe subjekteve opozitare në Pejë. “Të udhëtosh nëpër fshatra e qytete të rajonit e kudo në Perëndim, madhështia e festive të fundvitit ndihet te çdo njeri. Mënyra më atraktive realizohet me zbukurimet që I japin jetë dhe entuziazëm secilit që kalon nëpër ato lokalitete, janë festat e fundvitit, festat që japin shpresën për një vit tjetër më të mire, për një botë më të lumtur. E kundërta i ndodhë Pejës sonë. Dhe kur flet me zyrtarë kompetent të Komunes, gjithmonë gjejnë ndonjë arsye banale, se jemi duke kursyer para, le ta bëjnë vet qytetarët, ka dështuar tenderi… e gjëra të tilla që të japin me kuptu se nuk ka as më të voglin disponim që qytetarin apo vizitorin ta bëjnë të ndihet mire”, shprehë kritikat e tij edhe si qytetarë, drejtori i OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë, Veton Mujaj. / Koha.net