Edhe Skenderaj feston ditën e çlirimit

Në sheshin “Adem Jashari” të Skenderajt është mbajtur sot manifestimi qendror i shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Skenderajt.

Kryetar i kësaj komune, Bekim Jashari, gjatë kësaj ceremonie ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të secilës familje dhe të secilit qytetar në çlirimin e vendit. “Me fjalë nuk mund të shprehet vepra madhore në ballë të secilës ishte komandanti ynë legjendar Adem Jashari dhe familja e tij. Historia jonë e lavdishme u kurorëzua me sakrificën e babës Shaban, balit Adem e babës Hamëz, pas të cilëve shokët trima të luftës, të tillët si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, vëllezërit Haradinaj, Rasim Kiçina, Mujë Krasniqi, Bekim Berisha, Agim Ramadani, Zahir Pajaziti e daja Osman, dhe të të gjithë heronjtë të tjerë të rënë e të gjallë, luftëtarët e devotshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.” tha Jashari.

Pas fjalimëve, është shfaqur koncerti me këngë e valle nga artistë të njohur të estradës. E veçanta e këtij përvjetori ishte pjesëmarrja e Ansamblit Kombëtar të Meksikës, që intepretuan disa valle të tyre tradicionale.