Edy Reja vjen me risi në kombëtare

Selektori i ri i kombëtares së Shqipërisë, Edy Reja, që do të debutojë në bankën e kuqezinjëve në duelet kualifikuese të qershorit për EURO 2020, ka zyrtarizuar sot listën e të para-ftuarve për ndeshjet e radhës.

Kështu, Reja që do të debutojë më 8 qershor ndaj Islandës jashtë dhe do të ketë duelin e parë në vend më 11 qershor ndaj Molldavisë në Elbasan Arena, ka ftuar:

Alban Hoxha (Partizani), Enea Mihaj (Panetolikos), Kastriot Dërmaku (Cosenza), Migjen Basha (Aris), Ergys Kaçe (Panathinaikos), Emanuele Ndoj (Brescia), Eros Grezda (Rangers), Lorenc Trashi (Partizani), Ylber Ramadani (Velje) dhe Bruno Telushi (Partizani) – janë dhjetëshja e parë e lojtarëve të ftuar.

Këta kanë përfunduar sezonin dhe do të stërviten në Tropikal për të ruajtur formën dhe për të parë gatishmërinë për ndeshjet e qershorit.

ORARI, NDESHJET dhe TABELA

Futbollistët tjerë që do të vinë në Tropikal janë nga Shqipëria U21.

Andrea Hoxha (Winterthur), Din Sula (Beveren), Kleandro Lleshi (Leganes B), Leonardo Maloku (Fermana), Omar Imeri (Shkëndija), Shefit Sahiti (Shkëndija), Arbin Zejnullai (Shkëndija), Esat Mala (Partizani), Sergio Kalaj (Lazio), Drilon Kryeziu (Triglav), Agim Zeka (Fortuna Sittard) dhe Bleron Sheji (Struga).

Ndërsa më 27 maj zyrtarisht do të publikohen të ftuarit për duelet e qershorit, kur italiani Reja do të dalë në konferencë për shtyp për të prezentuar 23-shen përfundimtare për ndeshjet e radhës.

Shqipëria në duelet e marsit, në fillim të kualifikimeve, pësoi nga Turqia në shtëpi, duke bërë që të largohet Christian Panucci nga detyra e selektorit, ndërsa më pas mposhti Andorrën si mysafir nën drejtimin e ndihmësit Ervin Bulku. (nga TopSporti.com)