Ekipi i Kosovës për LE Minsk 2019 u prit nga ministri Kujtim Gashi, mbretëron optimizëm për medalje

Ekipi i Kosovës për Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019 është pritur nga ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, para nisjes për në kryeqytetin e Bjellorusisë.

Paraprakisht ekipit iu dorëzua uniforma, derisa u zhvillua edhe një takim me drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës.Në emër të KOK-ut, presidenti Besim Hasani iu dëshiroi suksese të gjithë sportistëve, nga të cilët kërkoi të japin maksimumin siç kanë bërë deri më tani.

Bashkarisht delegacioni iu drejtua ministrisë, ku u prit nga ministri Gashi, i cili iu uroi suksese garuesve tanë, duke u shprehur optimist në medalje.

“Është kënaqësi e veçantë edhe për mua si ministër të presë 12 sportistët dhe trajnerët, si dhe gjithë ekipin që do të jeni në gara. Është padyshim një moment i rëndësishëm si qeveri dhe për shtetin tonë, pasi presim të kemi medalje nga këto gara”, theksoi ndër të tjera ministri Kujtim Gashi, i cili do të jetë edhe vetë i pranishëm në Minsk në përkrahje të sportistëve.

Presidenti Hasani, duke falënderuar ministrin Gashi për pritjen dhe përkrahjen e vazhdueshme për sportin, foli për përgatitjet dhe pritshmëritë e ekipit.

“Kemi një ekip cilësor prej 12 sportistëve, ku tashmë 7 prej tyre vetëm e kanë shijuar se çka do të thotë me qenë në podium dhe me u stolis me medalje të kampionatit evropian, botëror, madje edhe Olimpik. Përgatitjet kanë shkuar mjaftë mirë falë mbështetjes së institucionit që ju drejtoni (MKRS) dhe nga Solidariteti Olimpik i Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Ajo çka mund të ju them është se ekipi është i përgatitur, pritshmëritë tona janë të larta kur i kemi parasysh krejt këto që i përmenda. Më mbetet të ju falënderoj për ndarjen e kohës, është inkurajim për çdo Komitet Olimpik kur e ka mbështetjen e institucioneve tona”, tha Hasani.

Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, pati një këshillë për sportistët e rinj. “Për mua është hera e parë në LE dhe është kënaqësi e madhe. Këshilla ime për sportistët e rinj është të fokusohen në punët e veta, dhe të mos merren me atë se kush vjen, presidenti apo kushdo qoftë. Është më mirë që gjëra të tillë të mos e humbin fokusin. Sporti në Kosovë ka përparuar dhe ambasadori më i mirë i një vendi është sporti, andaj uroj t’i bëjmë krenar njerëzit e këtij vendi”, u shpreh Kelmendi.

Trajneri i saj, Driton Kuka, tha se do të jetë sukses nëse kthehen me medalje. “Është kënaqësi që krejt sportistët kanë pasur mundësinë të përgatiten dhe nuk kanë arsye në rast mossuksesi, pasi përgjegjësinë duhet ta marrin si sportistët, ashtu edhe trajnerët. Përgjegjësinë e kemi ne dhe mendoj ta përfaqësojmë sa më mirë Kosovën. Shpresoj në medalje dhe me rëndësi është që Kosova si shtet i vogël të mos kthehet pa medalje”, deklaroi trajneri kampion Olimpik.

Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, mbahen prej 21-30 qershor në kryeqytetin e Bjellorusisë.

Një pjesë e ekipit të Kosovës niset të mërkurën dhe të enjten, kurse ekipi i shigjetarisë me garuesen Ardita Zenullahu dhe trajnerin Fehmi Bylykbashi kanë arritur sot.S

6 Attachments