Ekskluzive: A po kthehet Shpend Ahmeti në ‘Vetëvendosje’

Sipas burimeve të ‘Lajme 365’ tashmë Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu po negociojnë më udhëheqës të Lëvizjes Vetëvendosje për një rikthim të mundshëm në partinë e Albin Kurtit. Sipas burimeve, ky rikthim ‘spektakular’ mund të realizohet pak para zgjedhjeve të ardhshme lokale, ku Shpend Ahmeti ndoshta do të synoj edhe mandatin e tretë në krye të kryeqyetit.

Ka kaluar një kohë kur pas shumë debateve, akuzave e përplasjeve që u shoqëruan më një ‘luftë mediale’ maratonike, grupi i udhëhequr nga Shpend Ahmeti e Dardan Molliqaj pjesë e së cilës ishin edhe Aida Dërguti, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Fisnik Ismajli, Frashër Krasniqi, Dukagjin Gorani e të tjerë, zyrtarisht u larguan nga Lëvizja Vetëvendosje, për të ju bashkëngjitur Partisë Social Demokrate që deri në atë kohë udhëhiqej nga Kaqusha Jashari.
Shpend Ahmeti u zgodh Kryetari i partisë dhe menjëherë filloi me ristrukturim e me instalim të konceptit të ri të partisë duke involvuar edhe anëtarë të rinj. Grupi i ish-funksionarëve të VV-së, që njëkohësisht ishin deputetë të zgjedhur në listen e VV-së, formuan grupin e tyre parlamentar nën siglën e PSD-së pjesë e lidershipit të së cilës tashmë ishin.
Poashtu përveç Shpend Ahmetit si Kryetar I Prishtinës, VV-ja mbeti edhe pa një komunë tjetër, atë të Kamenicës pasi që edhe Qëndron Kastrati ndoqi rrugën e njëjtë me grupin që tashmë ishin pjesë e PSD-së.
Për shkak të aktivitetit dhe kontributit në sesionet dhe komisionet parlamentare për tema të rëndësishme publike , ekzistonte një tendencë në opinionin publik në përgjithësi, që PSD-ja, në zgjedhjet parlamentare do ta kishte nje sukses që do t’i mundësontë pjesëmarrje në legjislaturën e radhës, gjë që fare nuk u realizua.
Koalicioni parazgjedhor me AAK-në ishte një lëvizje fatale e kësaj partie pasi që nga 25 kandidatët e saj në listën e përbashkët, asnjë kandidat nuk arriti numrin e mjaftueshëm të votave për t’u bërë deputet edhe pse Natyra Kuçi ishtë shumë afër këtij qëllimi.
Figurat tjera të rëndësishme si Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu e Fisnik Ismajli ishin larg të fitimit të mundësisë për t’u bërë deputet.
PSD zyrtarisht u konfirmua si parti jashtë parlamentare dhe të gjithë ‘faturën’ për këtë disfatë politike zgjedhore e mori vetë Shpend Ahmeti, i cili edhe dha dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake duke ja mundësuar Dardan Molliqajt të zgjedhet kryetar i ri i partisë.
Në këtë frymë, sipas burimeve të ‘Lajme 365’ tashmë Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu po negociojnë më udhëheqës të Lëvizjes Vetëvendosje për një rikthim të mundshëm në partinë e Albin Kurtit. Sipas burimeve, ky rikthim ‘spektakuar’ mund të realizohet pak para zgjedhjeve të ardhshme lokale, ku Shpend Ahmeti ndoshta do të synoj mandatin e tretë në krye të kryeqyetit.

/ Lajme365 /