Ekskluzive: LDK dhe LVV në Prizren po bisedojnë për t’iu rikthyer bashkëqeverisjes.

Një javë pasi  që kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka në një konferencë i dha fund koalicionit me LDK-në në  Prizren, ende nuk është zyrtarizuar ndarja e koalicionit.

Kjo pasi që tre drejtorët e LDK-së dhe nënkryetari Eshref Memaj, kanë vazhduar të ushtrojnë detyrat e tyre.

Burime të ‘Lajme365’ konfrimojnë se këto dy subjekte ditëve të fundit  janë duke biseduar për mundësinë e ” pajtimit ” dhe arritjes së një marrëveshje të re.

Palët janë në proces të bisedimeve dhe sot gjatë ditës pritet që të ketë një epilog lidhur me fatin e mëtejmë të bashkëqeverisjes ndërmjet VV-së dhe LDK-së, raporton Lajme365.

‘ Lajme365 ‘ ekskluzivisht kishte raportuar se Haskuka kishte bërë gati vendimet për shkarkimin e nën kryetari Eshref Memaj dhe tre drejtorëve të emëruar në ato pozita politike si përfaqësues të LDK-së pas arritjes së marrëveshjes së koalicionit në nivel lokal ndërmjet VV-së dhe LDK-së.

Ekskluzive: Haskuka zyrtarisht shkarkon Nënkryetarin dhe drejtorët e LDK-së

 

Të enjten që shkoi, këshilltarët e LDK-së patën bojkotuar vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme të KK-së së Prizrenit, ku në votimin e tretë për kryesues të këtij organi me shumicë votash u zgjodh kandidati opozitar Sulltan Badallaj.

Si pasojë e këtij rezultati, pas përfundimit të seancës, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, pati njoftuar se koalicioni qeverisës me LDK-në e ka humbur kuptimin në nivel lokal dhe pati paralajmëruar vazhdimin e qeverisjes pa këtë parti politike.

Kujtojmë që LDK dhe Nisma, ishin dy parti që jashtëzakonisht kontribuan në fitoren e ngushtë të Mytaher Haskukës në balotazh ndaj Shaqir Totajt. / Lajme365 /