Ekspertët më kritika për Trumpin, i kërkojnë bashkëpunim me Bidenin për pandeminë

Ekspertët më të lartë shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara të martën i bënë thirrje presidentit në largim, Donald Trump, që t’i ndajë të dhënat e rëndësishme rreth sëmundjes COVID-19 me ekipin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, në mënyrë që të shmanget boshllëku i panevojshëm në menaxhimin e situatës.

Kritikat e ashpra të ekspertëve ndaj Shtëpisë së Bardhë erdhën përmes një letre të hapur nga tri organizata udhëheqëse shëndetësore, në kohën kur qeveritë lokale po përballen me luftën ndaj pandemisë në mungesë të një strategjie të koordinuar kombëtare.

“Të dhënat në kohë reale për furnizimin me terapi, teste, pajisje mbrojtëse personale, ventilator, për kapacitet të shtretërve dhe fuqi punëtore për të planifikuar shfrytëzim më të gjerë të aseteve kombëtare duhet të ndahen me qëllim që të shpëtohet jeta e njerëzve të panumërt”, thuhet në letrën e hapur, e cila është nënshkruar nga udhëheqësit e Shoqatës Mjekësore Amerikane, Shoqatës Amerikane të Infermierëve dhe Shoqatës Amerikane të Spitaleve.

Kjo letër u publikua vetëm një ditë pasi fituesi i zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, Joe Biden, paralajmëroi se mund të vdesin më shumë njerëz nga koronavirusi, nëse presidenti në largim vazhdon ta bllokojë tranzicionin normal të pushtetit te administrate e re në janar, shkruan Reuters.

Dr. Anthony Fauci, kryespecialisti qeveritar për sëmundje ngjitëse, tha se vendi do të kishte shërbim më të mirë përmes një qasjeje të përbashkët për luftimin e pandemisë. “Një shtet thotë një gjë, një shtet tjetër thotë tjetër gjë”, tha Fauci gjatë një interviste për gazetën e njohur amerikane, “The New York Times”./Express