Ende në pritje studimi i fizibilitetit për Ujmanin

Pika më e kontestuar në Kosovë nga marrëveshja e Uashingtonit ende nuk ka nisur të zbatohet në praktikë. Studimi i fizibilitetit për Ujmanin, bazuar në këtë marrëveshje, do të kryhet nga ekspertë amerikanë të Departamentit të Energjisë “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se ky proces nuk ka nisur ende.

“Deri tash, ministrit Blerim Kuçi i është dorëzuar nga Sekretari i Departamentit të Energjisë në SHBA, një letër ku tregohet në lidhje me këtë studim, në të cilin do të marrin pjesë ekspertë nga ky departament”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit janë zotuar që të sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë së SHBA-së dhe njësive tjera të Qeverisë amerikane, duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit.

“Ky grup është në proces të konsolidimit”, deklaruan nga zyra për komunikim me publikun e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, pa dhënë detaje shtesë.

Më 20 tetor, një ditë pasi Qeveria e Kosovës miratoi Planin e zbatimit të marrëveshjes së Uashingtonit, në Kosovë qëndroi një delegacion amerikan i udhëhequr nga zëvendës ndihmësi kryesor i Sekretarit për Energji të Shteteve të Bashkuara, Matthew Zais, e ku njëra nga çështjet kryesore të bisedimeve ishte studimi i fizibilitetit për Ujmanin.

Në delegacionin amerikan ishin edhe dy ekspertë, njëri i energjisë dhe njëri i ujërave, që të dy nga Laboratori Kombëtar i Paqësorit Veriperëndimor afër Siatëll.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zais pati thënë se qëllimi i vizitës ishte mbledhja e informatave dhe vlerësimeve teknike për Liqenin e Ujmanit.

“Dhe në parim, për të kuptuar mundësitë dhe përfitimet që mund të ketë Kosova nga shfrytëzimi i liqenit dhe tërë ajo që ofron liqeni, qoftë kjo energjia elektrike apo uji. Jemi këtu në kapacitet teknik dhe kjo është përcaktuar me marrëveshjen ekonomike në Shtëpinë e Bardhë. Dhe, sërish, ky është përkushtim. Kur isha herën e fundit, paraqita një letër nga sekretari i Energjisë, sekretari Dan Brouillette, në të cilën përfshihej ky përkushtim për studimin e fizibilitetit dhe tri javë më vonë ja ku jemi, duke e zbatuar atë”, pati thënë ai në intervistën për Zërin e Amerikës.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, pret që administrata e re amerikane megjithatë do të vazhdojë të kërkojë zbatimin e disa prej pikave, nëse jo të tërë marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Në këtë aspekt, pika që ka të bëjë me Liqenin e Ujmanit, do të vazhdojë të trajtohet edhe nga administrata e re, për shkak se është një çështje që medoemos duhet të diskutohet dhe për të cilën duhet të gjendet një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Zeka pret që Kosova dhe Serbia të angazhohen seriozisht për përmbushjen e zotimeve të bëra më 4 shtator në Uashington./Telegrafi