Enver Hasani: Supremja do të veprojë njëjtë si PZAP sa i përket kandidimit të Kurtit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se t’i prish Gjykatës Kushtetuese në demokraci të brishta siç është Kosova, është sfiduese.

Duke folur për aktgjykimin e Kushtetueses që ua ndalon të gjithë atyre që janë të dënuar tre vjetët e fundit që të kandidojnë në zgjedhje, Hasani ka thënë se Gjykata s’duhet t’i kontribuoj lënies së shijes së keqes, sikur ka ndodhur me vendimin e fundit.

“Arsyetimi nuk ishte i fuqishëm në aktvendimin e fundit. Vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese i kanë ndërruar rregullat e lojës. E ka relativizuar deri në absurd konceptin e fituesit, kjo ka ndodhur me aktgjykimin e parë. Me vendimin e fundit është cenuar e drejta zgjedhore. Me mua si kryetar aktgjykimi do të ishte krejtësisht ndryshe. Gjykata ka marrë një procedurë që nuk ekziston, sepse nuk ka qenë fjala për kontroll abstrakt. Kjo është sikur të shkosh në barnatore dhe të kërkosh gozhda”, ka thënë Hasani në RTK.

Sa i përket ankesës së disa partive që kanë bërë edhe në Supreme, duke përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje, Hasani ka thënë se edhe kjo Gjykatë s’do të veprojë ndryshe nga KQZ-ja dhe PZAP-ja.

“Edhe në Supreme s’do të përfundojë ndryshe, sepse Gjykata Kushtetuese ka thënë se çdokush që ka një dënim të formës së prerë, pa marrë parasysh për çka, s’mund të merr pjesë në zgjedhje. Me këtë Gjykata Kushtetuese ka krijuar standard të ri”, ka thënë Hasani.

Ai tutje ka thënë se VV-ja dhe Kurti mund të ankohen edhe në Gjykatën Kushtetuese, por nuk ka hapësirë për riparim të aktgjykimit që e lë jashtë garës Kurtin dhe 46 kandidatë tjerë për zgjedhjet e 14 shkurtit./express