Enver Hoxhaj: PDK është partia që ka ditur të reagojë dhe veprojë për t’i dhënë drejtim tejkalimit të krizave

Me iniciativë të kryeparlamentarit Kadri Veseli, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, sot ka marrë vendim që më 22 gusht të mbahet seanca për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Pas këtij vendimi ka reaguar nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka thënë se PDK-ja çdo herë ka ditur të reagojë dhe veprojë për t’i dhënë drejtim tejkalimit të krizave, karshi paaftësive të qeverive dhe kryeministrave për të marrë vendime për interesin e qytetarëve dhe përpjekjeve politike ditore për të blerë kohë, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë i Hoxhajt pa ndërhyrje:

Karshi paaftësive të qeverive dhe kryeministrave për të marrë vendime për interesin e qytetarëve dhe përpjekjeve politike ditore për të blerë kohë, PDK është partia që ka ditur të reagojë dhe veprojë për t’i dhënë drejtim tejkalimit të krizave.

Sot me kërkesën kryetarit të Kuvendit, që është edhe kryetar i PDK-së, u arrit të caktohet data e seancës për shpërbërjen e Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës, si gjithmonë i beson fuqishëm legjitimitetit qytetar dhe të gjitha vendimet tona do të jenë në shërbim të interesave të Kosovës.

/ lajmi.net /