Erdhi dita e Vetëvendosjes!

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje arriti të dalë partia e parë, duke lënë prapa Lidhjen Demokratike të Kosovës për një përqindje të vogël të votave. Megjithkëtë, Kurti theksoi se nga e hëna do t’i bëjë ftesë LDK-së për të lidhur koalicion dhe për ta bërë pjesë të Qeverisë, me të cilën ai synon të udhëheqë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ndonëse pati një fitore të ngushtë lideri i këtij subjekti Albin Kurti theksoi se ky është ndryshimi, të cilin Kosova e ka pritur dhe ky ndryshim bëhet vetëm kur partitë opozitare vijnë në qeveri.

Ai thekson se vetëm me të dhe me Lëvizjen Vetëvendosje bëhet ndryshimi, nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në fjalimin që pati në sheshin “Skënderbeu”, Kurti falënderoi të gjithë kundërkandidatët e tij e në veçanti kandidaten e LDK-së Vjosa Osmanin, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim me të në qeverinë e re. Para qytetarëve Kurti dha edhe një premtim tjetër për ruajtje të partneritetit me vendet mike të Kosovës, duke thënë se me partnerët do të jetë partner dhe me aleatët aleat. Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhje garoi me sloganin “Erdhi dita”, sipas rezultateve të para arriti fitore në disa qytete të Kosovës, duke prirë në shumë bastione të LDK-së e të PDK-së.

Fjalimi i fitores

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë para qytetarëve e aktivistëve të partisë së tij Kurti shpalli fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje duke falënderuar të gjithë votuesit, edhe ata që votuan për kundërshtarët e tij e kundër tij. Ai deklaroi se kjo fitore është entuziazmi i tretë për Kosovën, duke e radhitur atë pas Ditës së Çlirimit të Kosovës dhe Ditës së Pavarësisë.

“6 tetori e shënoi fillimin e entuziazmit të tretë për vendin tonë. Entuziazmi i parë ishte qershori i ’99-s, entuziazmi i dytë shpallja e pavarësisë dhe i treti është entuziazmi i tetorit 2019. Ne kemi humbur shumë kohë për këto 20 vjet, sa mundësi të shpërdoruara, sa shanset shkuan huq, mirëpo tash erdhi dita. Erdhi dita për ju popull i dashur, pa dallim fshati e qyteti, pa dallim gjinie, të gjithë do të jeni të barabartë para ligjit. Do ta keni shansin që të jetoni ndershëm. Ne premtimet tona do t’i përmbushim, sepse do t’ju shërbejmë juve”, ka thënë Kurti.

Ai i falënderoi edhe kritikët e Vetëvendosjes duke thënë se kritikat, sulmet e akuzat e kanë kalitur Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne kemi pasur shumë pengesa, kemi pasur shumë vështirësi, por ato na kanë kalitur. Jemi më të fortë se kurrë edhe për të gjitha vështirësitë që na presin. Dua të falënderoj edhe ata që na kanë kritikuar, sepse edhe ata na kanë ndihmuar duke na udhëzuar. Edhe ata që na kanë akuzuar e na kanë sulmuar vetëm na kanë kalitur për këtë fitore të madhe”, ka deklaruar Kurti.

Vetëvendosja i bën thirrje LDK-së për koalicion

Gjatë ditës së djeshme pas marrjes së rezultateve Kurti falënderoi të gjithë kundërshtarët e tij, që ishin në garën për kryeministër. Por një falënderim të veçantë e pati për kandidaten për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmanin. Ai theksoi se në qeverinë e re, në të cilën ai do të jetë kryeministër, do të donte bashkëpunim me Osmanin. Kësisoj ai theksoi se qeverinë e re ka synim ta formojë me LDK-në dhe thirrjen e tij për të arritur një gjë të tillë do ta nisë nga e hëna.

“Në veçanti dua ta falëndëroj zonjën Vjosa Osmani. Ajo me fushatën e saj ka inspiruar shumë gra e vajza që të aktivizohen në shoqëri, në ekonomi… Prandaj unë dua të bashkëpunoj me Vjosën. Që nesër (e hënë) do të vendos kontakte me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Me LDK-në kemi patur bashkërendim të mirë opozitar, ia shtrij dorën e bashkëpunimit. Do të shikoni më pak pushtet dhe më shumë shtet”, ka deklaruar ai./Zëri/