“Erdhi dita”: I arrestuari që përkrahte VV’në, ditë më parë i dha grant 400 mijë euro fansit tjetër të VV’së

Arrestimet e djeshme në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë [AZhB] kanë shkaktuar bujë të madhe në opinion edhe për shkak të implikimeve të caktuara politike. Por, një tjetër gjë shqetësuese del së fundi e që ka të bëj me një kontratë të nënshkruar nga kryeshefi i arrestuar Agim Nuha vetëm 14 ose 24 ditë para se të arrestohej.

Policia e Kosovës, departamenti për Krime Ekonomike, raportohet të ketë arrestuar 12 persona në aksionin e djeshëm që mund të vazhdojë edhe sot.

Dje Ballkani.info ka raportuar se mes tyre, më kryesori, ishte ushtruesi i detyrës së AZhB-së, Agim Nuha. Ky i fundit ishte hapur si përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje – dhe ishte emëruar si ushtrues detyre nga Besian Mustafa gjatë kohës sa Qeveria Kurti ishte në pushtet.

Policia po ashtu i konfiskoi edhe dy valixhe me rreth 400 mijë euro.

Nga ajo që është publike në media sociale, del se përkrahësi i VV-së Nuha ka nënshkruar kontratë me një tjetër përkrahës të VV-së që merrej me “tregtinë me shumicë të mishit dhe produkteve të tij”, Muharrem Dinajn.

Dinaj kishte marrë një grant me vlerë prej 400 mijë eurosh – e madje e kishte publikuar vetë në profilin e tij në Facebook.

“Sot nënshkruam Grant-Kontratën me vlerë prej 400,000 Euro në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Një motiv më shumë për punë në përmbushjen e kërkesave të konsumatorëve…” – shkruante ai, derisa e tregonte edhe kontratën.

Diçka tjetër që çudit është se z.Dinaj kishte publikuar kontratën me 11 shkurt duke nisur fjalinë me “Sot”, pra që bëhet fjalë për 11 shkurtin, derisa në dokumentin zyrtar shihet qartë se data e nënshkrimit është në fakt 1 shkurti.

Natyrisht, këtu nuk ka ndonjë implikim se ka lidhshmëri mes shumës së ndarë si grant për kompaninë Dinamika dhe shumës së konfiskuar nga policia. E po ashtu, nuk ka ndonjë implikim se simpatia e përbashkët për Vetëvendosjen mund të ketë ndikuar në dhënien e këtij granti.

Por, faktet janë që Dinaj dhe Nuha janë bashkë-simpatizantë të VV-së, e po ashtu edhe se Dinaj ishte takuar me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin disa ditë para se të publikonte nënshkrimin e kontratës me AZhB-në.

Takimin me Kurtin, Dinaj e kishte zhvilluar më datën 6 shkurt në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Më 14 shkurt, llogaria “Lemi Prizren” në Facebook e që është e z.Muharrem Dinaj, kishte postuar edhe një fotografi të Vjosa Osmanit veshur me uniformën e kompanisë së tij derisa i vë mbishkrimin “Zonja e Hekurt”.

Dinaj madje edhe në ditën e zgjedhjeve hapur kishte treguar se i kishte dhënë votën Vetëvendosjes.

“Vetëvendosje – Parti me rini intelektuale dhe qëllime të drejta e në favor të çdo qytetari, sot mori vlerësimin e popullit dhe besimin tonë për udhëheqjen e shtetit të Kosovës.” – kishte shkruar ai.

Ajo që ndjell dyshime serioze është se kompania Dinamika ia doli të merrte një grant prej gati gjysmë milioni nga një përkrahës tjetër i Vetëvendosjes që ishte në pozitën e u.d. të kryeshefit të AZhB-së e që tash u arrestua, transmeton Periskopi.