Erdogan i cilëson raportet me Serbinë si më të mira në histori, u bën thirrje biznesmenëve turq të investojnë në Serbi

Presidenti i Turqisë Erdogan po qëndron për vizitë zyrtare në Serbi.

Nga atje, Presidenti turk Erdogan u ka bërë thirrje biznesmenëve turq që të investojnë në Serbi.

Gjatë vizitës së tij Erdogan do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së 6 fabrikave të reja turke të ndërtuara në pjesë të ndryshme të Serbisë dhe do të marrë pjesë në vënien e gurthemelit të një fabrike të re turke në Serbi, raporton Lajme365.

Erdogan në Beograd ka folur për rritjen e investimeve turke në Serbi dhe për rritjen e shkëmbimit tregtar në mes dy shteteve.

“Derisa investimet tona në Serbi në vitin 2011 kanë qenë 1 milionë dollarë, sot ato kanë arritur në 200 milionë dollarë. Ndërkaq shkëmbimet tona tregtare kanë arritur në 1.2 miliardë dollarë”, ka thënë Erdogan në Beograd.

Gjatë qëndrimit të tij në Serbi, Presidenti turk Erdogan do të marrë pjesë në inicimin edhe të një projekti me vlerë rajonale. Bëhet fjalë për ndërtimin e Autostradës Beograd Sarajevë e cila do të kalojë përmes Republika Srpska. Vlera e këtij projekti i cili do të ndërtohet nga kompanitë turke pritet të jetë rreth 4 miliardë euro, raporton Lajme365.