Erdogan injoron aleatët e Turqisë

Presidenti turk Erdogan edhe një herë është treguar i prerë në qëndrimin e tij për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia, përkundër reagimit të ashpër të aleatëve të saj në NATO.

Madje përfaqësues të Rusisë kanë bërë të ditur se brenda 2 muajsh do të fillojnë me transferimin e pajisjeve të sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 në Turqi.

NATO kërkon nga Turqia të mos blejë sistemet ruse të mbrojtjes raketore pasi ato i rrezikojnë sistemet e mbrojtes të shteteve anëtare të NATO-s duke shtuar rrezikun e interferimit rus në këto sisteme, me theks të veçantë në aeroplanët F-35. Në vend të kësaj, SHBA-të i kanë ofruar Turqisë blerjen e sistemeve amerikane të mbrojtjes ajrore Raytheon Patriot, propozim i cili është refuzuar nga Turqia.

Nga ana tjetër, revista amerikane Foreign Policy, bënë të ditur se Zëvendësministri Amerikan i Mbrojtjes, Patrick Shanahan, i ka dërguar një letër Ministrit Turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, përmes së cilës ka treguar për hapat që do t’i ndërmarrin Shtetet e Bashkuara të Amerikës si kundërpërgjigje ndaj injorimit të Turqisë ndaj kërkesavë të NATO-s.

Përmes kësaj letre, Shanahan ka njoftuar ndalimin e programit të trajnimit për përdorimin e aeroplanëve të gjeneratës më të re F-35 për pilotët turq dhe detyrimin për lëshimin e territorit të SHBA-ve nga ana e tyre deri më 31 korrik. SHBA gjithashtu ka marrë vendim që të ndalojë transferimin e të gjitha pajisjeve dhe pjesëve të aeroplanëve luftarak F-35 në Turqi. Nëse nuk do të heq dorë nga blerja e sistemit rus S-400, atëherë Turqia duke filluar nga data 31 korrik do të pezullohet nga programi F-35.

Turqia është pjesë e Aleancës Veri-Atlantike që nga viti 1952, madje edhe para Gjermanisë (1955) dhe Spanjës (1982).