Erdogan kërcënon SHBA me mbylljen e bazave të saja ushtarake në Turqi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka konfirmuar sot se vendi i tij mund të mbyllë bazën e Forcave Ajrore të SHBA-së nëse kjo e fundit vendos sanksione kundër Ankarasë zyrtare.

“Varet nga ne që të marrim vendimin për mbylljen e bazës së Incirlik për Shtetet e Bashkuara. Nëse është e nevojshme, ne do të mbyllim të dyja bazat në Incirlik dhe Kurezik”, tha Erdogan për televizionin A Haber.

Ai shtoi se është shumë e rëndësishme për të dy palët që SHBA të mos ndërmarrë hapa që më pas do të ishte e pamundur të korigjoheshin.

“Sigurisht, Turqia do t’i përgjigjet çdo sanksioni amerikan”, tha Erdogan.

Elementet e sistemit amerikan të mbrojtjes raketore janë instaluar në bazën e Kurecikut.

Edhe Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, njoftoi gjithashtu se Ankaraja mund të kërkojë nga SHBA-ja që të tërhiqnin trupat e saj nga bazat e forcave ajrore, nëse Washingtoni vendos sanksione për shkak të blerjes së sistemeve raketore ruse S-400.

Nga ana tjetër, ministri Cavusoglu deklaroi sot se vendi i tij do të vazhdojë të blejë sisteme S-400 nga Rusia pavarësisht pasojave të paralajmëruara nga administrata e presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Ai gjatë një konference në Doha të Katarit tha se Turqia ka nevojë për një sistem të mbrojtjes ajrore.

“Pavarësisht nga pasojat, Turqia nuk do të anulojë marrëveshjen e nënshkruar me Rusinë për të blerë sistemet e raketave S-400. Ne u përpoqëm ta merrnim atë nga SHBA-ja dhe të tjerët, por pa asnjë përfitim. Ky është një sistem mbrojtës që është jetik për ne”, tha Cavusoglu.

Në mënyrë të ngjashme, Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar foli në të njëjtin tubim, duke përsëritur se Turqia është përpjekur të sigurojë sisteme nga vendet e tjera, duke përfshirë SHBA dhe Francën, por pa asnjë dobi, dhe se vetëm Rusia është përgjigjur.

Ministrat folën vetëm dy ditë pasi senatorët amerikanë mbështesin një projektligj që do të lejonte sanksione ndaj Turqisë për blerjen e sistemit S-400.

Gjithashtu, ky ligj parashikon dënime për zyrtarët turq për një operacion ushtarak në Siri kundër forcave lokale kurdë.