Erdogan kërkon nga Putin respektimin e armëpushimit në Siri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka dërguar porosi homologut të tij në Rusi, Vladimir Putin, për respektimin e armëpushimit në Siri.

Bëhet fjalë për provincën Iblib, në pjesën veriperëndimore të Sirisë, e cila është nën kontrollin e grupeve rebele.

Gjatë një bisede telefonike, Erdogan i ka thënë Putinit se armëpushimi në këtë krahinë siriane duhet të zbatohet me qëllim të parandalimit të vdekjeve të civilëve dhe fluksit të refugjatëve në Turqi.

Për më tepër, Erdogan ka theksuar se për sa i përket Sirisë duhet të gjendet një zgjidhje politike, ka shkruar agjencia e lajmeve Reuters.

Nga ana tjetër, krahina Idlib kohëve të fundit ka qenë cak i sulmeve të shpeshta nga avionët luftarakë të Qeverisë së Sirisë duke shkaktuar viktima të shumta në mesin e civilëve. Marrë parasysh që kjo pjesë e Sirisë vazhdon të jetë nën kontrollin e rebelëve, mediat ndërkombëtare raportojnë se forcat qeveritare siriane kanë sulmuar Idlibin duke pasur mbështetje ushtarake edhe nga Rusia.