Presidenti i Republikës së Turqisë, Erdogan, sot gjatë ditë ka bërë një paralele të çuditshme. Erdogan e ka krahasuar kandidatin e përbashkët opozitar për Kryetar të Stambollit, Ekrem Imamoglu me Presidentin e Egjiptit, Sisi.
Sisi e ka udhëhequr Ushtrinë e Egjiptit në grusht-shtetin e cili rezultoi rrëzimin nga pushtetit të Presidentit të atëhershëm të Egjiptit, Morsi, i cili vdiq në sallë të gjykimit ditë më parë.
Siç raporton BBC në gjuhën turke, Erdogan, gjatë një tubimi parazgjedhor të mbajtur në Stamboll, qytetarët e pranishëm i ka pyetur se kë do ta votojnë të dielën. “Do të themi Sisi, apo do të themi Binali Yildirim?”, ka pyetur Erdogan qytetarët e tubuar.
Ekrem Imamoglu, më 31 mars pati dalë triumfues në zgjedhjet për kryetar të Qytetit Metropolitan të Stambollit përballë kandidatit të partisë së Presidentit Erdogan, Binali Yildirim. Megjithatë, autoriteti qendror zgjedhor i shtetit turk, pati vendosur për anulimin e zgjedhjeve në fjalë.
Zgjedhjet e përsëritura për kryetar të Stambollit do të mbahen të dielën, më 23 qershor. Kompanitë anketuese turke favorizojnë kandidatin opozitar Imamoglu edhe në zgjedhjet e përsëritura të së dielës.
Humbja eventuale në Stamboll, do të ishte një humbje e madhe politike për Presidentin aktual turk Erdogan dhe do të nxiste fuqizimin e mëtejmë të forcave laike të këtij shteti.