Faktet rreth referendumit të Serbisë, çka po ndryshohet?

Në Serbi të dielën, më 16 janar, mbahet referendumi për ndryshimin e Kushtetutës, aktit më të lartë ligjor të shtetit.

Çka po ndryshohet?

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin.

Pse po bëhen ndryshimet?

Me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

A kanë të bëjnë ndryshimet me Kosovën?

Jo.

Për çfarë janë ndryshimet?

Ndryshimet kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi politik në këtë proces, ka thënë Qeveria e Serbisë.

Kush do t’i zgjedhë gjyqtarët dhe prokurorët?

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë Prokurorial, që konsiderohen si trupa të pavarur.

Kush i ka zgjedhur ata deri më tani?

Direkt apo indirekt – deputetët e Parlamentit serb, si anëtarë të partive politike.

Kush është për ndryshimet?

Zyrtarët më të lartë shtetërorë, të cilët thonë se qëllimi është që të arrihet një gjyqësor i pavarur dhe se shpejtësia e integrimeve evropiane varet nga ndryshimet e Kushtetutës.

Kush është kundër?

Të gjitha partitë opozitare, shumica e të cilave besojnë se Parlamenti që shpalli referendumin nuk ka legjitimitet dhe se për këtë çështje nuk ka pasur debat publik. Opinionet ndryshojnë nëse duhet votuar “jo” apo të bojkotohet referendumi.

Disa deputetë të koalicionit qeverisës po ashtu janë kundër ndryshimeve.

Çfarë thonë gjyqtarët, prokurorët dhe profesionistët?

Qëndrimet ndryshojnë – nga ato që ndryshimet çojnë drejt një pavarësie më të madhe të gjyqësorit, deri tek ato që besojnë se me ndryshime ruhet ndikimi politik, vetëm se bëhet në mënyra të tjera përmes anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë Prokurorial.

Çfarë ka thënë Komisioni i Venecias?

Trupi i ekspertëve të Këshillit të Evropës ka thënë se shumica e rekomandimeve të tyre janë përmbushur, por këmbëngul në nevojën e zvogëlimit të rreziqeve të politizimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

Cila do të jetë pyetja në referendum?

“A jeni për konfirmimin e aktit të ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Serbisë?” Përgjigjet janë me “po” ose “jo”.

Kush mund të votojë?

Mund të votojnë të gjithë qytetarët e Serbisë që gjenden në listën e votuesve. Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Ku mund të votohet?

Në të gjitha qendrat e votimit ku qytetarët zakonisht votojnë për zgjedhje – nga ora 07:00 deri në ora 20:00. Është e obligueshme që votuesit të bartin maska. Për qytetarët që janë të infektuar me koronavirus apo janë në izolim, anëtarët e këshillit të votimit do të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe votimi do të bëhet te dera.

Kur referendumi konsiderohet i suksesshëm?

Me ndryshimet ligjore, që u miratuan në fund të vitit 2021, është hequr pragu i daljes.

Kjo do të thotë se për t’u konsideruar një referendum i suksesshëm, nuk kërkohet që mbi 50 për qind e votuesve të votojnë, por vendimi merret nga shumica e votave./REL