Familja dhe avokati kërkojnë nga Prokuroria të pa përkthyer raportin për Astrit Deharin (Dokument)

Avokati Tomë Gashi, para shtatë ditësh kërkoi nga autoritetet vendore gjegjësisht nga Ministria e Drejtësisë, që t’ia dërgojnë atij një kopje të raportit të ekspertizës për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit.

Raport ky për të cilin Gashi po pretendon se ka më shumë se një javë që ekspertiza e kryer në shtetit zviceran iu është dorëzuar institucioneve para një jave.

Ani pse dje këto deklarata të Gashit u hodhën poshtë nga vetë Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri por edhe nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, nëpërmes dy komunikatash të ndara duke thënë që asnjëra nga këto dy institucione nuk ka pranuar ndonjë raport në lidhje me vdekjen e Deharit.

Të enjten kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, erdhi në Prishtinë me njoftimin se më datën 17 tetor kanë pranuar raportin e rastit Dehari në një zarf të mbyllur.

Ai u tha medieve që përmbajtja e tij nuk dihet ende dhe nuk do të bëhet publike deri sa të pranohet edhe nga prokurori i rastit, Metush Biraj, për hetim.

Sipas Gashit e gjithë kjo situatë e krijuar prej një javësh, ka qenë e panevojshme dhe një tentativë për ta mbuluar dikë. Madje ai thotë se raporti duhet t’i dërgohet atij dhe familjes, në një kopje të origjinalit, të pa përkthyer në gjuhën shqipe.

“Më datën 7 tetor unë kam marrë informatë se raporti për rastin  vrasjes së Astrit Deharit është kthyer tek institucionet përkatëse të Kosovës dhe ne kemi kërkuar në formë të shkruar që ky raport të na jepet nga Ministria e Drejtësisë, e kemi njoftuar edhe kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezin dhe prokurorin e rastit, Metush Birajn, kërkesa është në formë të shkruar, në atë informatë shkruan që gjatë kësaj jave ka ardhur raporti tek institucioni përkatës i cili e ka porositur këtë ekspertizë pra hetimin e pavarur dhe në kuadër të hetimit të pavarur edhe ekspertiza përkatëse, nëse instituti i mjekësisë ligjore në Laussane të Zvicrës i konsideron të nevojshme”.

“Unë sot nga ju dhe nga mediet e tjera u njoftova që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala ka ardhur në zyrën e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi me një zarf dhe ka njoftuar se ekspertiza ka ardhur ditën e sotme”, tha Gashi.

“Kjo ka qenë tentativë për ta mbuluar dikë apo ndonjë institucion sepse është fundi i botës nëse ne e kemi pasur informatën të shkruar nga instituti i njejtë dhe ne vetëm kemi kërkuar një kopje të këtij raporti dhe asgjë tjetër, për çfarë arsye është fshehë kjo deri në ditën e sotme, ne nuk besojmë që ka pas gabime teknike sepse me dy rreshta do ishin përgjigjur që e kanë marrë, por problemi duket se është pak sa më i madh dhe është jo e zakonshme që kryeprokurori të vjen prej Prizrenit në Prishtinë, ta tregoj një zarf të mbyllur të cilin prapë sipas tij do ta dërgojë në Prizren, çështja është pak më tepër skandaloze se që ka qenë e nevojshme dhe besoj që nuk ka nevojë për drama të tilla, por duhet të bëhet publike ky raport dhe duhet që sa më shpejtë të ma dërgoj të pa përkthyer atë raport si përfaqësues i familjes së Astrit Deharit”.