Ferizaji e Ballkani, ngriten

Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 31-të në IPKO Superligë. Ferizaj ka realizuar fitore tejet të rëndësishme si mysafir në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, duke e mundur Trepçën’89, me rezultat 2:1. Me këtë fitore skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli i ka rritur dukshëm gjasat që në fund këtë edicion ta mbyllë jashtë dy pozitave që dërgojnë në barazh. Golat për fitoren e ferizajasve i shënuan Dardan Qerkini (54’) dhe Ermal Krasniqi (63’), derisa golin e vetëm për vendasit e realizoi Arb Manaj (80’). Pas kësaj humbjeje Trepça ’89 është futur në telashe dhe në dy javët e fundit do të jetë nën presionin e zonës së barazhit. Ndërkohë, tri pikë të mëdha që e mbajnë me shpresa për t’iu shmangur barazhit i ka arkëtuar edhe Ballkani në duel me Gjilanin, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Blend Baftiu, në minutën e 56-të me gjuajtje me kokë. Ndërkaq, ndeshja ndërmjet Flamurtarit dhe Drenicës është mbyllur pa fitues dhe pa gola, rezultat ky i cili i shkoi në favor kuqezinjve nga Skenderaj, megjithëse të dyja këto skuadra mbetën me pikë të njëjta dhe me mundësi përfundimi në barazh.