Feronikeli fiton Kupën, Prishtina në Europa League

Feronikeli ka triumfuar në finalen e Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, duke e mundur Trepçën’89, me rezultat bindës 5:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Kësisoj, vetëm pesë ditë pasi u kurorëzua me titullin e kampionit në IPKO Superligë skuadra nga Drenasi iu gëzua edhe trofeut të dytë, duke e mbizotëruar plotësisht futbollin kosovar në këtë edicion.

Që nga fillimi i ndeshjes Feronikeli e mbizotëroi lojën, duke qenë shumë më efikas në realizimin e aksioneve. Shifrat i zhbllokoi Astrit Fazliu me një supergol nga distanca, në minutën e 15-të.  Ndërkohë, nuk vonoi as goli i dytë, të cilin e realizoi Mendurim Hoti, në minutën e 27-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Në vazhdim të ndeshjes mitrovicasit u përpoqën të bëjnë presion drejt kundërshtarit, por pa forcën e duhur për të ndryshuar gjërat. Loja e hapur e Trepçës’89 ia mundësoi Feronikelit që të jetë edhe më kërcënues për portën e Beqirit. Epërsinë në 3:0 e shtoi Albutrint Morina (67’), derisa vetëm katër minuta më pas Kastriot Rexha shënoi për 4:0. Ndërkohë, në minutën e 73-të, Ardian Muja shënoi golin e ngushëllimit për Trepçën’89 para se Kastriot Rexha të shënojë edhe një herë në minutën e 90-të për rezultatin përfundimtar 5:1.

Në këtë mënyrë Feronikeli regjistroi rekord sa i përket futbollit të Kosovës, duke u bërë skuadra e parë që arrin të fitojë dy herë kurorën e dyfishtë. Suksesit të sotëm të Feronikelit iu ka gëzuar edhe Prishtina, e cila si nënkampione do të luajë në Europa League.