FFK kërkon ndërprerjen e ndeshjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, do t’i drejtohet edhe UEFA-s

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar ndaj ndeshjeve ilegale në futboll që raportohet se po luhen në Kosovë në gara nga strukturat ilegale në veri të vendit.

Në një reagim të FFK-së thuhet se këto janë mashtrime dhe vetëm nxitje të problemeve. Sipas FFK-së, improvizime të tilla më s’do të lejohen.

FFK ka thënë se konsideron ilegal çdo aktivitet të klubeve që s’janë regjistruar në Kosovë dhe që zhvillojnë aktivitete në vend dhe ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të aktiviteteve të tyre.

“Ditë më parë në mediat serbe bëri bujë lajmi për inkuadrimin e të ashtuquajturit ‘FK Trepca’ nga Mitrovica e Veriut në një rang më të lartë të garave nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Serbisë. FFK bën me dije se në institucionet shtetërore dhe sportive të Republikës së Kosovës janë të regjistruara KF ‘Trepça’89’, që bën gara në Superligën e Kosovës dhe KF ‘Trepça’ që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës dhe ato janë klubet e vetme legjitime me këtë emër. Prandaj, FFK e konsideron ilegal çdo aktivitet të klubeve të paregjistruara në institucionet e shtetit dhe organet e saj dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të këtyre aktiviteteve, të cilat në masë të madhe e dëmtojnë imazhin e FFK-së por edhe të vet shtetit”, thuhet në reagim.

FFK-ja ka thënë se do të shqyrtojë këtë çështje me UEFA-n dhe do të kërkojë sqarime edhe nga Serbia. Federata po ashtu ka kërkuar nga të gjitha institucionet në Kosovë të reagojnë për këtë çështje në organet ndërkombëtare.

“FFK do ta shqyrtojë këtë çështje me organet e UEFA-s dhe do të kërkojë sqarim edhe nga Federata e Futbollit e Serbisë, sepse ajo e di fare mirë se nuk i lejohet të organizojë gara në territorin e një vendi tjetër anëtar të UEFA-s. FFK kërkon nga të gjitha institucionet, presidenti, kryeministri, ministria e sportit dhe grupi negociator për dialog me Serbinë që të reagojnë për këtë çështje në organet ndërkombëtare, pasi veprimet e tilla janë mashtruese dhe qëllimkëqija për popullatën e asaj pjese të qytetit të Mitrovicës me rrethinë”, thuhet më tej në reagim.

Në fund të reagimit thuhet se nëse përsëriten aktivitete të tilla pa lejen e FFK-së, “atëherë është e domosdoshme ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ndalimin e tyre”.

“Edhe një herë rikujtojmë se Federata e Futbollit e Kosovës është organizata e vetme kompetente që organizon, udhëheqë dhe rregullon garat në futboll në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe është themeluar në principet e frymës sportive dhe ‘fair-play’-t dhe njëherësh si e tillë edhe është anëtarësuar në UEFA e FIFA në maj të vitit 2016. FFK është e hapur për anëtare të reja dhe fton klubet e të gjitha komuniteteve që funksionojnë në tërë territorin e Republikës së Kosovës që të regjistrohen në institucionet shtetërore të Kosovës dhe të përfshihen në garat që organizohen nga FFK. Njëherësh, FFK, në mbështetje të institucioneve të sigurisë u garanton të gjitha klubeve pjesëmarrëse siguri dhe ‘fair-play’ në gara”, thuhet në fund të reagimit.