Figurat kryesore të VV-së mungojn në Kuvend, Grupi parlamentar mbetet i mangët

Rrëzimi i Qeverisë Kurti dhe formimi i ekzekutivit të ri i ka lënë pa poste në institucione krerët e Lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Arben Vitia dhe Haki Abazi që bashkërisht në zgjedhjet e vitit kaluar i kanë marrë mbi 300 mijë vota, e të cilët kanë mbetur jashtë legjislativit.

Mungesa e tyre në parlament, duke mos qenë as në ekzekutiv po shihet se ka lënë zbrazëtira të mëdha brenda grupit parlamentar të ish partisë në pushtet. Këtë e thotë për KosovaPress edhe vet deputeti i kësaj lëvizje, Artan Abrashi.

Abrashi tha se edhe në statin e tyre, VV-ja nuk është një organizatë politike që e kufizon veprimtarinë vetëm brenda institucioneve.

“Po ndjehet mangësia e figurave kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, por një gjë e di se Lëvizja është një organizatë politike që veprimtarinë̈ e saj nuk e kufizon vetëm brenda institucioneve. Ne edhe me statutin e organizatës e kemi që përfaqësimin institucional është vetëm njëra prej metodave të veprimtarisë politike. LVV-ja është një organizatë shumë hiperaktive. Vazhdimisht ka aktivitete dhe aksione të ndryshme. Të gjithë anëtarët, përfshirë dhe drejtuesit e organizatës do të kenë vendin e tyre ku do të na përfaqësojnë denjësisht”, tha ai.

Se grupi parlamentar i VV-së është më mangët pa krerët e tyre e thotë edhe Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare, “Çohu”.

“Në aspektin e cilësisë, apo kualitetit besoj që po është shumë më e dëmtuar. Në parlament tashmë nuk e kemi liderin e LVV-së, zotëri Kurtin. Nuk kemi ish deputetët që kanë qenë në legjislaturat e kaluara që kanë udhëheq komisione siç është zonja Haxhiu, zotëri Konjufca e të tjerë që kanë post ministrore në qeveri dhe nuk mundet të kthehen në kuvend”, thotë ai.

Ndërkaq, Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, thotë se deputetët e rinj të Vetëvendosjes duhet të shfrytëzojnë mungesën e këtyre figurave për të bërë opozitarizëm të fuqishëm.

“Lëvizja Vetëvendosje ka një grup të mirë të deputetëve që janë të rinj në moshë dhe energjik. Ata do të shfrytëzojnë mirë mungesën e figurave qendore të partisë në mënyrë që të dëshmohet dhe të bëjnë një opozitarizëm të fuqishëm”, thotë ai.

Në fillim të legjislaturës së shtatë dhe me marrjen e pushtetit, figurat kyçe të VV-së u bartën në ekzekutiv. Kjo bënë që ata të humbin mandatin e deputetit. Ndërkaq me rrëzimin e qeverisë Kurti dhe formimin e qeverisë Hoti, ata kanë mbetur pa poste në institucione./kp