Filloi projekti i kujdesit paliativ në Prizren


Personat që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe janë në fazën terminale, nga sot do të kenë mundësi t’i kryejnë kontrollet mjekësore nga shtëpitë e tyre, falë shërbimit të Kujdesit Paliativ që ofrohet nga ana e Drejtorisë së Shëndetësisë. Zonja, Arijeta Rrotlla, e ka nënën e saj të prekur nga sëmundja e kancerit dhe ajo ka nevojë për shërbime mjekësore në shtëpi. Ajo e ka mirëpritur projektin e kujdesit paliativ nga Drejtoria e Shëndetësisë, i cili ka filluar të hënën, dhe i dedikohet personave me sëmundje të ndryshme kronike, të cilët nuk mund të kenë qasje për tretmane të nevojshme mjekësore në institucione shëndetësore.

Drejtori i Shëndetësisë, Visar Shehu, tha se ndjehet i lumtur që sot projekti i kujdesit paliativ ka filluar të implementohet në Prizren,  dhe se stafi mjekësor tashmë ka filluar me vizitat nëpër shtëpitë e personave të identifikuar të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe kanë nevojë për këto shërbime, u shpreh ai.

Koordinatori i këtij projekti, shefi i repartit të Urgjencës, Gylxhan Hasani, tha se veçse janë identifikuar 25 raste ku do të ofrojmë shërbime, ndërsa jemi duke i përpunuar të dhënat edhe për mbi 40 raste të tjera, dhe se pritet që ky numër të jetë më i lartë në të ardhmen, duke i paraqitur rastet nga familjarët e të sëmurëve.

Apelohet tek familjarët e personave që vujanë nga sëmundje të ndryshme kronike dhe kanë nevojë për këto shërbime,  që të ofrohen pranë shërbimit të Urgjencës për të dhënë informacione të duhura për të sëmurët që kanë nevojë për shërbim, apo të kontaktojnë në numrat : 045 / 300 – 726 dhe 045/ 300 – 723 të cilët janë në shërbim online.