Fillon ndërtimi i fushës së sportit në Shkollën e fshatit Zajm në Klinë

Në kuadër të investimeve komunale për përmirësimin e infrastrukturës në shkolla, ka filluar sot ndërtimi i fushës së sportit në shkollën fillore të mesme të ulët, “Motrat Qiriazi”, në fshatin Zajm të Komunës së Klinës.

Me rastin e fillimi të punimeve, ku i pranishëm ishte Kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, dhe bashkëpunëtorë, kryetari Elezaj uroi mësimdhënësit dhe banorët e fshatit për fillimin e punimeve.

Elezaj theksoi se fillimi i këtij projekti është shumë i rëndësishëm si për mësimdhënësit ashtu edhe për nxënësit që vijojnë mësimin në këtë shkollë, të cilëve iu krijohen kushte të favorshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre sportive.

Ndërsa mësimdhënësit dhe banorët falënderuan kryetarin për fillimin e këtij projekti, që sipas tyre ka qenë i nevojshëm dhe i qëlluar.

Ky projekt ka një kosto buxhetore prej 15 444 euro, ndërsa afati kohor për përfundimin e punimeve është 50 ditë pune.