Fillon shpërndarja e bursave për fituesit republikan

Zyra e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport ka njoftuar se ka filluar shpërndarja e bursave për nxënësit fitues të nivelit republikan.

Fituesit republikanë kanë mbajtur edhe kampet kreative që janë mbajtur nga një javë për secilin grup, në Kosovë e Shqipëri ku nxënësit në agjendën e tyre kanë pasur vizita të ndryshme si dhe shumë aktivitete me karakter socio-edukativ.

“Ashtu siç është premtuar, të gjithë nxënësit po marrin shpërblimet meqë për herë të parë në Kosovë, në zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për implementimin e Programit Nacional për Rininë në mënyrë institucionale janë organizuar gara për të gjithë nxënësit pa dallim”.

“Nga kjo garë e përgjithshme në nivelin shkollor, komunal dhe republikan të Garës Nacionale në Dituri si dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik prej 316 mijë nxënës sa ka gjithsej në Republikën e Kosovës në nivelin fillor të mesëm të ulët dhe në nivelin e mesëm të lartë, janë shpallur 44,723 fitues nga 29 komuna pjesëmarrëse”, bë të ditur Zyra e Koordinatorit për Kulturë, Rini dhe Sport.

Në nivelin shkollor janë shpallur gjithsej 40, 624 fitues. Të gjithë fituesit janë pajisur me certifikata.

Në nivel komunal vetëm në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik kemi 2078 fitues. Në nivel komunal për garën e Diturisë kemi gjithsej 1467 fitues. Të gjithë fituesit do të pajisen me nga një set librash në vlerë prej 50 eurosh. Po ashtu, të gjithë nxënësit fitues të nivelit komunal të Diturisë klasa e I-rë dhe e II-të do të pajisen me nga një set librash pasi që gara për ta mbaron në këtë nivel për shkak të natyrës së garës e cila e ka ruajtur karakterin thelbësor të lojës në formësimin e saj.