Fituesit dhe humbësit më të mëdhenj në zgjedhjet e Parlamentit Evropian

Për herë të parë në historinë e Parlamentit Evropian, të dy grupet më të mëdha politike, gjegjësisht EPP si qendër e djathtë dhe S&D që përfaqëson qendrën e majtë pritet të humbin shumicën e tyre që e kanë pasur deri më tash.

Sipas rezultateve preliminare, EPP deri më tash ka fituar 178 ulëse, ndërsa S&D 147 sosh në Parlamentin Evropian. Ndërkohë, ky institucion i BE-së përbëhet gjithsejtë prej 751 deputetëve. Kjo i bie që këto dy grupe, të cilat tradicionalisht e kanë pasur shumicën nuk mund të llogarisin më vetëm në fuqitë e tyre politike që duket se është zbehur prej këtyre zgjedhjeve.

Ndërkaq, fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve janë grupi i liberalëve – ALDE dhe grupi i të Gjelbërve – EFA. Të dy këto grupe kanë marrë më shumë ulëse sesa që kishin deri më tash, liberalët do t’i kenë 101 (34 më shumë) dhe të Gjelbrit 70 ulëse (20 më shumë).

Ndërkaq, konservatorët (ECR) pritet të kenë disa vende më pak në përbërjen e re të Parlamentit Evropian, ndonëse këto janë ende rezultate preliminare. Sidoqoftë, ata gjer më tani kanë 60 vende, gjegjësisht 10 më pak në raport me numrin që kishin më herët.

Ndërsa, grupet politike me orientime ekstreme, përkatësisht krahu i djathtë i nacionalistëve do të kenë 57 ulëse, popullistët 56 ulëse (duke pasur një rritje prej 8 vendeve më shumë) dhe të majtët 41 ulëse (ose 11 vende më pak se sa që kishin pasur deri më tash).

Sidoqoftë, këto janë vetëm rezultate preliminare të votave për 16 shtetet e BE-së pa llogaritur edhe rezultatet se si është votuar në Belgjikë, Republikën Çeke, Estoni, Hungari, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Slloveni, Spanjë, Suedi dhe Britani të Madhe. Ende pritet të shihet se cilat do të jenë rezultatet e votimeve në këto shtete.

Mbase rezultatet më interesante pritet të jenë në Britaninë e Madhe duke marrë parasysh që britanikët kanë votuar në referendum për largimin e vendit të tyre nga Bashkimi Evropian.