Flamuri amerikan ngritet në Prishtinë për nder të 243 vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve

Për nder të 4 korrikut, 243-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së SHBA-ve, në Prishtinë do të ngritet flamuri i SHBA-ve nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Siç është bërë traditë tashmë, ngritja e flamurit do të bëhet në sheshin që mban emrin e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, në orën 11:00.

Ky akt simbolik bëhet për të shënuar ditën e pavarësisë së vendit mik të Kosovës, SHBA-së.

Ndryshe, më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan. Ky dokument u hartua kryesisht nga 32-vjeçari, Tomas Xheferson.