Florim Ejupi denoncon Aleksander Vuçiqin në Policinë gjermane

Pas akuzave që Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe shumë media të Serbisë i bënë gjatë të enjtes ndaj Florim Ejupit, si personi kryesor që ka gisht në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, Florim Ejupi, që jeton në Gjermani, ka paraqitur këtë rast në autoritetet e këtij shteti.

Ish-avokati i Florim Ejupit, Mahmut Halimi, në një prononcim për gazetën inFokus, i tregoi këto detaje duke thënë që kjo është krejt një propagandë e rrezikshme e Serbisë me në krye Presidentin Aleksandër Vuçiq.

“Po, Florim Ejupi, e ka njoftu Policinë Gjermane, se mediat serbe e kanë implikuar atë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, gjë që nuk ka asgjë të vërtetë. Unë, si avokat jam i bindur që sa herë që përmendet tanimë i akuzuari për këtë vrasje, Milan Radojçic, aktivizohet Presidenti Serb, duke u munduar që t’ia pastroj emrin, e këtë radhë e ka gjetë një person që nuk ka lidhje me këtë punë. Sipas Vuçiqit, BIA dhe punët e brendshme serbe e kanë vërtetu se Radojçiqi është i pastër, e kinse këtë punë e paska bërë Florim Ejupi. Po, kjo propagandë nuk po shitet më, këtë e kanë mësuar edhe vet qytetarët e Serbisë”, deklaroi avokati Mahmut Haimi për gazetën inFokus.