Foreign Policy: SHBA planifikon të ndërmjetësoj dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Dy dekada pas paqes së brishtë në ish-Jugosllavi, Uashingtoni planifikon që t’i rifillojë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan gazeta ForeignPolicy, transmeton Gazeta Express.

Departamenti Amerikan i Shtetit pritet që të njoftojë një të dërguar special në Ballkan si pjesë e një përpjekje për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin që ta përfundojë çështjen më të diskutueshme të Evropës jug-lindore.

Matthew Palmer, pritet që të jetë i dërguari special për këtë mision, i cili është diplomat me eksperiencë në Ballkan dhe ka njohuri lidhur me çështjen. Vendosja e tij në krye të këtij misioni është shtytja e fundit që e bën SHBA’ja në mënyrë që t’i adresohet tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Tentativat e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve janë ndaluar për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova, e më pas edhe Serbia e cila e kushtëzoi dialogun me heqjen e tarifave.

Për disa ekspertë, caktimi i Palmer është zhvillim mjaftë i mirëpritur në rajon. E kjo bëhet për shkak se Rusia dhe Kina janë duke zgjeruar influencën e tyre në rajon, e Palmer shikohet si diplomat i rëndësishëm për shkak se kishte rol edhe gjatë konfliktit në Kosovë.

Eksperti i politikës së jashtme, Daniel Vajdich, i cili ka njohuri për rajonin, tha se përfshirja e SHBA’së në këtë çështje, tregon se për ta ka një rëndësi të madhe, transmeton Gazeta Express.

“Përcaktimi i një të dërguari special për Ballkanit tregon qartë se Shtetet e Bashkuara janë duke u përfshirë më shumë në këtë çështje sesa vetëm formalisht” tha Vajdich.

Vajdich, i cili ka qenë edhe në Komitetin e Senatit Amerikan për Punë të Jashtme, tha se “Sipas mendimit tim, kjo tregon rritje të gjasës se do të gjejmë ndonjë zgjidhje për këtë çështje para fundit të administratës Trump”.

Caktimi i Palmer si i dërguar special i SHBA’së për zgjidhjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë vjen pas takimit të Sekretarit të SHBA’së Mike Pompeo dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Viçiq në Nju Jork.

Pompeo i kishte kërkuar Vuçiqit që t’i rifillojë negociatat me Kosovën dhe ta bëjë këtë “me shpirtin e kompromisit dhe fleksibilitetit të nevojshëm për të siguruar një marrëveshje dhe zgjidhje potenciale”.