Forumi Ekonomik i Grave u drejtohet deputetëve me rekomandime për Ligjin e Punës

Forumi Ekonomik i Grave i është drejtuar sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një letër publike përmes së cilës ka ofruar një numër rekomandimesh në lidhje me Ligjin e Punës.

Rekomandimet e Forumit Ekonomik të Grave lidhen me disa çështje që kanë të bëjnë me pushimin e lehonisë, pushimin atësor dhe pushimin prindëror.

Më poshtë keni letrën e plotë të cilin Forumi Ekonomik i Grave ia ka drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Po ju shkruajmë për të ju bërë thirrje për të mos kaluar projektligjin aktual të punës në parlament. Forumi Ekonomik i Grave konsideron se projektligji aktual i punës, i cili përjashton çdo mënyrë të rregullimit të pushimit të lehonisë, pushimit atësor dhe pushimit prindëror, le të pambrojtura gratë në tregun e punës dhe ka mungesë të theksuar të barazisë gjinore mes grave dhe burrave. Ky projektligj në formatin e tij aktual paraqet rrezik të rëndë për mirëqenien e grave.

Të nisur nga ky shqetësim dhe me shpresën që do të hasim në bashkëpunimin tuaj, ne kërkojmë që ju të na përkrahni në hedhjen poshtë të këtij projektligji dhe në amendamentimin e tij me rekomandimet e mëposhtme konkrete, në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Barazi Gjinore dhe Direktivat relevante të BE-së.

Prandaj, duke marrë parasysh faktet e paraqitura më lart si dhe nevojën urgjente për përkrahje të 12% të grave aktive në tregun e punës, në pajtim me Strategjinë Nacionale për Zhvillim, rekomandimet tona janë si në vijim:

Të trajtohet pushimi i lehonisë, pushimi atësor dhe pushimi prindëror në kuadër të Ligjit të Punës dhe jo me një ligj të veçantë.
Projektligji i tanishëm nuk i njeh gratë si fuqi punëtore sepse duke i ndarë ato nga ligji i punës, i trajton si kategori e cila nuk mund të kontribojë në ekonominë e vendit por vetëm në shtim të popullsisë. Gratë punëtore duhet ti gëzojnë të drejtat e tyre konform Ligjit të Punës. Ndarja e dispozitës së pushimit të lehonisë nga tërësia e neneve të Ligjit të Punës, është drejtpërsëdrejti diskriminim që ju bëhet grave në baza gjinore.

Tutje, legjislacioni kombëtar që nuk i referohet specifikisht shtatzënisë dhe amësisë si një formë e diskriminimit gjinor i bën praktikat diskriminuese më pak të dukshme dhe rrjedhimisht më të vështira për t’i trajtuar. Ligji aktual diskriminon ndaj burrave, duke mos u ofruar atyre të drejta të barabarta për të qenë me fëmijët e tyre, duke kontribuar njëkohësisht në uljen e nivelit të pjesëmarrjes së grave në ekonominë e vendit. Sipas Ligjit për Barazi Gjinore, për të arritur ekuilibër në mes të prindërve në rolin e tyre të barabartë, të drejtat dhe përgjegjësitë e barabarta ekonomike e sociale, duhet të krijohen politika, implementimi i të cilave do të krijonte bazë për rol të barabartë të prindërve.

Të përfshihet në Ligjin e Punës dispozita e orëve të gjidhënjes me qëllim që grave t’u ofrohet mbrojtje për të ushqyer me qumësht gjiri foshnjat gjatë gjashtë muajve të parë pas lindjes së fëmijës, në pajtim me direktivat e BE-së.
Ligji për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri, nr. 05/L-023, sugjeron se nëse e punësuara që ushqen foshnjën me qumësht gjiri nuk e shfrytëzon pushimin e lehonisë pas muajit të gjashtë të tij, atëherë prej muajit të gjashtë deri në një vit ka të drejtën e pushimit me pagesë në kohëzgjatje prej dy orësh nё ditë brenda orarit të punës, duke mos përfshirë pushimin e rregullt gjatë orarit të punës, për ta ushqyer foshnjën me qumësht gjiri. Pas vitit të parë, punonjësja që ushqen fëmijën me qumësht gjiri ka të drejtë për një orë pushim. Por, ky ligj nuk u ofron grave mbrojtje për të ushqyer me qumësht gjiri foshnjat gjatë gjashtë muajve të parë pas lindjes së fëmijës.

Duke mos ofruar një mbrojtje të tillë, ligji mbështetet në supozimin se gratë nuk do të punojnë këta muaj, ndërkohë që, në mënyrë paradoksale, i pengon gratë të punojnë. Pushimi për gjidhënie duhet të rregullohet në kuadër të Ligjit të Punës, duke pas parasysh lidhjen direkte që ka me këtë Ligj. Është e papranueshme që Ligji i Punës i cili trajton kushtet e punës dhe mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve të lërë pa rregulluar punëtoret që kanë lindur ose punëtoret gjidhënëse.

Të transpozohet koncepti i vetëpunësimit duke shtuar një paragraf i cili do të qartësonte si në vijim:

“Prindërit e vetëpunësuar që zhvillojnë aktivitete ekonomike me qëllim të përfitimit, në llogari të tyre, kanë të drejtë në pushim të lindjes dhe në pushim prindëror, njëjtë sikur prindërit e punësuar.”

Justifikim

Koncepti i vetëpunësimit duhet të transpozohet në ligj, në mënyrë që të gjithë personat e vetëpunësuar, të cilët zhvillojnë aktivitete ekonomike me qëllim të përfitimit personal në llogari të tyre, nën kushtet e mundësuara nga legjislacioni kombëtar dhe bashkëshortët apo partnerët e personave të vetëpunësuar të cilët marrin pjesë në kryerjen e aktiviteteve në biznesin e personit të vetëpunësuar, të kenë mundësi të shfrytëzojnë përfitimet e mbrojtjes sociale dhe të lehonisë, duke u mbështetur ekskluzivisht në këtë marrëdhënie familjare.

Duke ritheksuar se është e papranueshme të kalohet një ligj i punës i cili nuk i trajton gratë si fuqi punëtore, ne ju njoftojmë se jemi të gatshme për një takim me juve me qëllim të adresimit të përbashkët të rekomandimeve në fjalë si dhe prezantimit të modelit të ri të përgatitur nga ne.

Sinqerisht,
Forumi Ekonomik i Grave