(FOTO) Deputeti i LDK-së denoncon në Polici publikimin e disa mesazheve që dolën në emër të tij

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka denoncuar në Policinë e Kosovës, rastin e publikimit të disa mesazheve kinse ai duke komunikuar me kolegun e tij, Arben Gashi, për tu përgatitur rreth zhvillimit të propagandës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Lajme365.

Sipas disa mesazheve të publikuara në një faqe me emrin e Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Selmanaj diskuton me deputetin tjetër Arben Gashi se si të organizohen dhe të fillojnë propagandën ndaj VV-së.

Selmanaj në një postim në facebook ka njoftuar se ka denoncuar në Polici, duke shpresuar  për zbardhjen e këtij rasti dhe, sipas tij, ata që kanë bërë montime të tilla të dalin para drejtësisë.

“Para pak minutash bëra denoncimin në Policinë e Kosovës. Dua të shprehë vlerësimet e mia për profesionalizmin e treguar nga ana policisë së Kosovës në identifikimin e personave që kanë gisht në fabrikimin, montimin dhe falsifikimin e kinse komunikimeve të mia me kolegët e LDK-së. Shpifësit, mashtruesit, fabrikuesit, linçuesit do të përballen me organet e drejtësisë! Ata nuk e meritojnë lirinë!”, ka tshkruar Selmanaj.

Edhe gjatë ditës, deputeti Selmanaj, ka thënë se këto janë linçime që janë duke u bërë me montime në stilin e shërbimeve sekrete sllave.