(FOTO) Formohet grupi në Viber për të ” spinuar ” Policinë gjatë orës Policore

Plot 16 mijë e 427 persona janë të kyçur në një grup në Viber i cili quhet ‘Radari’.

Në këtë grup të shumta janë mesazhet dhe njoftimet të cilat tregojnë vend-ndodhjen e policisë, njoftime këto që ndihmojnë shoferët e automjeteve të i shmangen gjobave të trafikut për thyerje të rregullave.

Qeveria e Kosovës, që nga data 24 mars, mori vendim për ndalimin e lëvizjes së njerëzve dhe qarkullimit të veturave nga ora 10:00 deri në ora 16:00. Në vendim thuhet se edhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të, mëngjesit nuk mund të dilet por ka përjashtime.

Ky vendim u ndryshua pak ditë më parë. Tani qarkullimi për lëvizjen e qytetarëve dhe të veturave është i ndaluar nga ora 17:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit.

E personat të cilët janë në grup edhe gjatë kohës kur ka ndalim të qarkullimit të veturave, alarmojnë pjesëtarët e tjerë të grupit se ku ka pika kontrolli dhe nga cilat rrugë mos të vozisin në mënyrë që të mos hasin në kontrollet policore.

Vitin e kaluar Policia e Kosovës kishte njoftuar se kishte arrestuar dy persona, themelues të grupit ‘Radari” i cili demaskonte policinë me pikat e kontrollit duke bërë kështu që shoferët të mos gjobiten dhe të kenë kujdes në shpejtësi.

Eksperti i Komunikacionit, Shemsedin Hajdari konsideron se grupe të tilla nuk i ndihmojnë policisë për të vënë rend në trafik, ai pati shtuar se kjo është pengëse pasi që vozitësit që thyejnë rregullat duhet të përballen me gjobat për t’u përmirësuar më vonë/Kallxo.com/.