FOTO – Në krizën e pandemisë, një familjes në Prishtinë i rrënohet shtëpia

Sot, një shtëpi në rrugën ‘Driton Azemi’ në lagjen Bregu i Diellit është rrënuar duke i lënë në rrugë pronarin me probleme shëndetësore dhe gruan e tij me një fëmijë të mitur.

Pronari i kësaj shtëpie, Rexhep Gashi, deklaroi se jeton në atë pronë për shumë vite, kurse shtëpia që ia kanë rrënuar ka qenë e ndërtuar nga një shoqatë bamirësie nga Mitrovica.

Gashi deklaroi se nuk di asgjë si kanë shkuar procedurat në lidhje me lejen e ndërtimit për shtëpinë.

Bashkëshortja e tij deklaroi se në muajin e Ramazanit kanë filluar punimet, ku sipas saj komuna ua ka ndërprerë, kurse tani që i kanë filluar prapë komuna ua ka rrëzuar shtëpinë duke i lënë në rrugë.

Rrënimin e shtëpisë e ka konfirmuar edhe  Adonis Tahiri, Drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës.

Tahiri gjithashtu shtoi se familja posedon 7 hektarë tokë në Prishtinë por kanë bërë ndërtime në pronë publike.

“Familjes i kemi ofruar banesë për strehim disa herë, por kryefamiljari ka refuzuar ta pranojë. Familja e tij posedon mbi 7 hektarë tokë në Prishtinë, por ka insistuar të ndërtojë dhomë në tokë publike dhe ka ndërtuar së fundmi pavarësisht vendimeve tona,” është shprehur Tahiri.