Fotografi e rrallë nga Prekazi

Anlisti Blerim Latifi ka postuar një fotografi të viti 1972 ku shfaqen nxënës të Shkollës Fillore “Azem Bejta” të Prekazit duke luajtur futboll në orën e Edukatës Fizike. Në prapavijë duket objekti i shkollës së vjetër të Prekazit, e ndërtuar nga pushteti serb në vitin 1927.
“Gurët për ndërtimin e saj ishin marrë nga kulla e Azem Bejtës, e shndërruar në gërmadhë pas betejës së 14 korrikut 1924. Në atë kohë mësimi në këtë shkollë zhvillohej vetëm në gjuhën serbe. Nxënësit shqiptarë detyroheshin të ndiqnin këtë shkollë, ku, mes tjerash, u mësohej se ata ishin turq, atdheu i tyre ishte Turqia dhe një ditë duhej të ktheheshin atje, ndërsa Kosova u takonte serbëve. Kështu vazhdoi deri në vitin 1941, kur Jugosllavia monarkiste u pushtua nga Gjermania dhe mësuesit serbë të kësaj shkolle, bashkë me kolonët që banonin aty rrotull, ikën në Serbi. Shkolla u mbyll, derisa erdhën mësuesit e Ernest Koliqit dhe filluan mësimin në gjuhën shqipe. Ishte kjo koha kur abetaret e para në shqip u mësuan në këtë shkollë. Në dimrin e vitit 1945, në dhe rreth saj, ishte zhvilluar një betejë e përgjakshme midis partizanëve titistë dhe luftëtarëve të Shaban Polluzhës. Në shenjë hakmarrje për humbjet e pësuara në këtë betejë, partizanët kishin pushkatuar dhjetëra burra të Prekazit, dy ditë pas betejës. Pas luftës shkolla u rihap përsëri, por tash edukimi me përmbajtje nacionaliste u zëvendësua me edukimin e diktuar nga regjimi i ri komunist. Njëri nga mësuesit e parë që dha mësim në ato vite në këtë shkollë ishte Shaban Jashari, babai i Adem e Hamzë Jasharit. Pak më vonë ai u pushua nga puna dhe u arrestua me akuzën se mbante lidhje të fshehta më grupet e rezistencës antijugosllave.
Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar aty afër u ndërtua objekti i ri i shkollës, ndërsa shkolla e vjetër u shndërrua në magazinë dhe në sallë sporti për orët e edukatës fizike, por një tërmet i atyre viteve e nxorri krejtësisht jashtë përdorimit.
Pas luftës ajo u shemb krejtësisht dhe kur Ministria e Kulturës nisi rindërtimin e Kullës Muze të Azem Bejtës, gurët e saj u morën për t’u kthyer në vendin prej nga ishin marrë në vitin 1927. Sot ata qëndrojnë në muret e kësaj kulle. Në historinë e lëvizjes së këtyre gurëve ne mund të shohim vetë historinë tragjike të Kosovës përgjatë shekullit XX, ndërsa në destinacionin final të tyre triumfin e popullit të Kosovës mbi ëndrrën serbe për ta parë Kosovën pa shqiptarë.
Autori i fotografisë është mësuesi Gani Hamiti, arkivi fotografik i të cilit përbën një pasuri të vërtetë dokumentare.”-shkruan ai.