Franca e Macronit nuk është kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë!

Parisi zyrtar nuk është kundër idesë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kështu alarmojnë mediat franceze në prag të vizitës së presidentit të Francës, Emmanueal Macron, në Beograd, që do të qëndrojë atje të hënën dhe martën e javës së ardhshme.

Derisa Franca e Macronit nuk duket të jetë kundër kësaj ideje të nisur nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Thaci e Vuçiq, në anën tjetër kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel është shprehur kategorikisht kundër çfarëdo mundësie të ndarjes apo shkëmbimit territorial si zgjidhje për Kosovën e Serbinë.

“Mundësia për të gjetur një zgjidhje përmes shkëmbimit të territoreve mbetet ende e pazgjidhur. Parisi është i hapur për këtë çështje për dallim nga Berlini që i frikësohet rihapjes së Kutisë së Pandorës të nacionalizmit”, shkruan L’Express e Francës.

Pikërisht dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka ngecur që disa muaj, pritet të jetë një nga temat e diskutimit gjatë vizitës zyrtare të presidentit francez në Serbi.

Pavarësisht përpjekjeve të presidentit francez, Macron dhe kancelares gjermane, Merkel për rifillimin e bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë, samiti i planifikuar të mbahej në Paris, në korrik të këtij viti, kishte dështuar për shkak të mungesës së progresit nga të dyja palët.

Ndërkohë, vizita zyrtare e Macronit në Serbi do të jetë e para e një presidenti francez pas vizitës së ish-presidentit Jacques Chirac më 2001. Sipas mediave franceze, kjo vizitë pritet të “rivendosë lidhjet e hershme” në mes të Francës e Serbisë.