Fshatrat e myslimanëve Rohingya u shkatërruan dhe u ndërtuan me kazerma

Fshatra të tërë të myslimanëve Rohingya në Mianmar janë shkatërruar dhe zëvendësuar me kazemra të ushtrisë, ndërtesa qeveritare dhe kampe refugjatësh, raporton BBC.

Në një turne qeveritar, BBC tha se ka parë katër vende ku janë ndërtuar ndërtesa të tilla, ndërsa imazhet satelitore tregojnë se ato kanë qenë vendbanime të myslimanëve Rohingya.

Zyrtarët mohuan se ndërtimet janë bërë në fshatrat e rajonit Rakhine.

Në vitin 2017, mbi 700,000 Rohingya kanë ikur nga Mianmari – vend që njihet edhe si Birmani – për shkak të një operacioni ushtarak.

Atëbotë, Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar eksodin si “doracak për spastrimin etnik”.

Mianmari, vend me shumicë budiste, vazhdon të mohojë se trupat e tij kanë kryer spastrim etnik.

Ai thotë tani se është i gatshëm të pranojë disa refugjatë.

Por, muajin e kaluar, përpjekja e dytë për riatdhesimin e disa refugjatëve Rohingya nga Bangladeshi ka dështuar, pasi asnjë nga 3,450 njerëzit e miratuar nga Mianmari nuk është kthyer.

Ata përmendën si arsye mungesën e përgjegjësisë për mizoritë e kryera në vitin 2017 dhe pasiguritë nëse do të kenë liri të lëvizjes apo shtetësi.

Mianmari e fajësoi Bangladeshin dhe tha se është i gatshëm të pranojë një numër të madh të të kthyerve. Për ta demonstruar këtë, ai ftoi gazetarët, përfshirë BBC-në, t’i shohin objektet për refugjatë. /REL/