FSK bëhet me 337 rekrutë të rinj

Në kazermën „Adem Jashari“ të Forcës së Sigurisë të Kosovës në Prishtinë, sot u mbajt ceremonia e betimit të 337 rekrutëve të rinj, gjenerata e dytë e FSK-së, pas përfundimit të trajnimit bazik nëntë-javorë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm: Zëvendësministrat Burim Ramadani dhe Kadri Kastrati, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneralë, oficerë dhe nënoficerë të FSK-së, atashe ushtarakë, përfaqësues të NALT-it, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe publike, si dhe familjarë të rekrutëve dhe mysafirë të shumtë.

Betimin e kanë dhënë 337 rekrutë të rijnë; prej tyre 251 meshkuj, 47 femra dhe 38 pjesëtarë nga radhët e komuniteteve jo shumicë.